Ish-kryeministri Sali Berisha nga Foltorja e zhvilluar pasditen e sotme në Bilisht ka sulmuar analistët, të cilët i ka konsideruar si pjesë e një makinerie propagandistike e qeverisë.

 

Në një moment, Berisha shprehet se këta analistë shkojnë të premten në xhami për të larë mëkatet dhe prej saj dalin më mëkatarë se më parë. Sipas Berishës, këta analistë mbështesin kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

“E gjithë makineria propagandistike e qeverisë është vërsulur në mbrojtje të kreut të meduzës. Analistët, me në krye Baton Stanishiqin, është një grup tjetër i vogël të cilët ja kanë shitur shpirtin djallit, xhepit të tyre, vjellin vrer gjjithë javës. Shkojnë të premten në xhami për të larë mëkatet, në fakt hyjnë dhe dalin mëkatarë, ja lëmë zotit punën e tyre. S’merremi me ta. Nga studioja në studio. Janë grahmat e fundit të Edi Ramës dhe peng Bashës për të shuar pluralizmin.”-deklaroi Berisha.

Për këto deklarata ka reaguar publicisti Namir Lapardhaja. Me anë të një postimi në rrjete sociale, ai shkruan se ish-lideri demokrat ka ndërmarrë një nga sulmet më të pamenduara.

Sipas tij, kjo gjuhë rrezikon demokracinë dhe është një linçim publik për ata që mendojnë ndryshe.

Postimi i Namir Lapardhasë:

Ish-kryeministri Berisha ndërmori sot, ndoshta, një nga sulmet më të pamenduara qoftë edhe nga një ateist i shpallur, nga një komunist, nga një ithtar i largqoftit, teksa mori përsipër të gjykojë se cilit ia pranon Zoti lutjet e cilit jo.

Ky sulm, që do të turpëronte këdo që beson se nuk rrjedhim nga majmuni, mund të konsiderohet si kështjella më e fundme që Berisha nuk e kish prekur, të paktën publikisht. Dhe duke tentuar edhe rolin më të pamenduar, atë të vetëpërcaktimit se kupton kujt i pranohen lutjet para Zotit, është e kotë të habitemi se si ai nuk e ka problem të sajojë shpifje lidhur me këdo, duke i sulmuar si të paguar nga kundërshtari i tij në parti.

Në fakt, pikërisht kjo gjuhë, që nuk prek vetëm ata që besojnë, por këdo qytetar që beson se fuqia e demokracisë është te pranimi i mendimit të tjetrit që nuk mendon si ty, është edhe gjuha që rrezikon jo vetëm PD-në, por edhe demokracinë, pasi ky model e rikthen një parti në shinat e diktaturës, ku kushdo që mendonte ndryshe linçohej, i bëhej gjyq publik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re