Ardhja e pranverës shton edhe aktivitetet sportive – arsimore në Berat, të cilat organizohen shpesh nga DAR dhe QKF Berat dhe i tillë ishte aktiviteti më i fundit zhvilluar dje në stadiumin “Tomori’’.

Për të katërtën herë radhazi u zhvillua kupa “Mandi Xhamo’’ me organizuar nga DAR Berat dhe familja e profesorit Mandi Xhamo. Aktiviteti është zhvilluar në futboll, një kupë që përshiu të gjitha shkollat 9-vjeçare të qytetit të Beratit.

Ndeshjet janë zhvilluar në stadiumin e qytetit duke krijuar edhe një rivalitet interesant mes skuadrave të të vegjëlve të shkollave përkatëse. Shumë prej atyre djemve janë edhe pjesë e skuadrave të moshave në qytet dhe rriten me ëndrrën dhe pasionin për futbollin.

Ndeshja finale është zhvilluar mes skuadrave të shkollës 9-vjeçare “Xhemal Çekini’’ Uznovë dhe shkollës ‘’22 Tetori’’.

Finalja është fituar nga skuadra e shkollës së Uznovës, e cila drejtohet nga mësuesi i Edukimit Fizik, njëkohësisht edhe ish futbollist dhe trajneri i Tomorit, Kristaq Mile. Ndërsa skuadra e shkollës “22 Tetori’’është drejtuar nga mësuesi i tyre Zeni Kasëmi që e kanë bërë garën interesante por në fund janë nxënësit e Uznovës që fitojnë.

Pas përfundimit të ndeshjes finale është drejtori i DAR Berat Selman Hodaj ai që ka shpërndarë kupat dhe medaljet në prani edhe të profesorit Mandi Xhamos në emrin e të cilit u zhvillua ky aktivitet./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re