Kryeministri Edi Rama, zhvilloi ditën e sotme një konferencë për media në ambientet e kryeministrisë, ku prezantoi ecurinë e procesit të Rindërtimit. Pyetjes së gazetares së FaxNews, Rovena Cerka, se në fshatin Pojan të Tiranës, janë aktualisht 5 familje që jetojnë në çadër si pasojë e tërmetit të shtatorit 2019, kryeministri Rama iu përgjigj se kemi të bëjmë me ato raste të cilat nuk kanë ndjekur rrugën e duhur të aplikimit.
“E para shumë faleminderit për këtë kontribut, se të gjithë duhet të ndihmojnë në këtë proces. Nuk janë 5 familje janë më shumë se 5 dhe lidhen kryesiht me familje që nuk kanë ndjekur rrugën që duhet aplikuar”.- tha Rama.
Për sa i përket pyetjes për ekzistencën e një infrastrukturës rrugore problematike në këtë zonë Rama iu përgjigj se nuk mund t’i kërkojnë llogari vetëm atij për kusuret e 100-viteve shtet.
“Padiskutim që ka plot rrugë rurale që janë në gjendje të keqe, jo vetëm ajo që keni parë ju por kam parë më shumë, pasi si kryeministër e kam bredhur Shqipërinë cep më cep shumë herë, duke llogaritur dhe kohën në opozitë e kam bredhur më shumë se askush.
Shumë rrugë janë në gjendje shumë të keqe, por mua mos më kërkoni me ironi llogaritë e 100 viteve. Po të isha unë korrespondenti i syrit apo faxit, do t’i tregoja njerezvë se në çfarë mjerimin jeton Parisi,pasi do shkoja dhe do gjeja vendet më të mjerueshme të atij qyteti të mrekullueshëm.
Po të më jepnin mua një detyrë për të shkuar në Londër, për të treguar sesa njerëz jetojnë në çadër, apo që vdesin në rrugë, do të bëjë një reportazh që do t’i tmerroja kuksianët për të mos shkuar më në atë vend.” u shpreh Rama.
/faxweb
