Policia e Tiranës thotë se ka shkuar në 25 numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Tempulli 4”, ku u godit një grup kriminal, të cilëve iu sekuestrua kokainë, marijuanë, ekstazi dhe LCD.
Personi, i cili u vu në pranga në vijim të këtij operacioni është 24-vjeçari me iniciale O.V., ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
LCD është drogë sintetike në formë kartoni dhe kur konsumohet vendoset poshtë gjuhës.
Burime bëjnë me dije se droga LCD vinte nga Serbia në Shqipëri me postë dhe më pas grupi kriminal e shpërndante pothuajse në të gjithë Tiranën.
Droga LCD sjell pasojë të rënda shëndetësore te të rinjtë deri në humbje jete.
Të arrestuarit:
Gjatë operacionit janë arrestuar shtetasit Vilson Tresa, Asllan Maqellara, Etgent Luzi, Kostandinos Deliu, Armand Haderllari, Blerim Biba, Ilir Tufa, Kevin Kolgegaj, Marios Saliaj, Damjan Hasani, Erblin Buci, Ervis Duro, Jurgen Xhafa, Aldo Grabovari, Gazmend Hoxha, Sajmir Gerbaj, Aleksander Kili, Orgest Beqo, Xhelo Ajasllari, Paolo Shyti, Ervin Rakipi, Erdi Kurti, dhe Adrian Ramushi.
Njoftimi:
Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 4”.
Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim gjatë këtij megaoperacioni, shkon në 25 numri i të arrestuarve.
Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.8 kg lëndë narkotike kokainë,18 kg lëndë narkotike marijuanë, 350 doza me lëndë të dyshuar narkotike sintetike ekstazi dhe LCD, aparatet celulare dhe automjetet e shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacionit “Tempulli 4”, dhënë ditën e djeshme, gjatë të cilit janë arrestuar 24 shtetas, bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë vijuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në afërsi të Brrylit, u kap dhe u ndalua shtetasi O. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.