Një pacient 66-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej një jave në gjendje të rëndë.

Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësë në frymëmarrje dhe pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 66-vjeçari, i cili vuante nga diabeti dhe hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.

“Që nga fillimi i epidemisë, 49 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa vijon të ketë raste të rënda që po trajtohen në shërbimin infektiv. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregojnë kujdes në zbatimin e rregullave në përditshmëri dhe bizneset të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor dhe Task-Forca anti-COVID vijojnë të jenë në terren 24/7 për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të protokolleve të sigurisë” njofton MSH.

Gjatë ditës së sotme në vendin tonë u shënuan 78 raste të reja me Covid 19, shumica e të cilave u raportuan në qytetet e Shkodrës, Krujës dhe Tiranës.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re