Zëvendës ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli pati një debat të ashpër me aktivistin Gjergj Bojaxhi në lidhje me furnizimin me ujë të Tiranës, në emisionin “Opinion”. Sipas zotit Shrekli një nga problemet që ka Tirana është numri i lartë i popullsisë. Ai theksoi se familjet shqiptare konsumojnë shumë ujë, pasi lahen ditë për ditë.
Artan Shkreli: Një familje shqiptare konsumon ujë sot disa herë më shumë se para 20 vitesh. E njëjta familje me të njëjtët pjesëtarë.
Gjergj Bojaxhi: Dmth fajin e kanë familjet shqiptare, ta marrim vesh?
Artan Shkreli: Sigurisht, ka rritje të standardit…
Gjergj Bojaxhi: Dmth shteti i merr taksat, por nuk jep ujë…
Artan Shkreli: Gjergj Bojaxhi u lante njëherë në javë në 1990,
Gjergj Bojaxhi: Jo faleminderit nuk lahesha njëherë në javë…
Artan Shkreli: Ok, ti ke qenë qeliza e çmendur që laheshe ditë për ditë.
Gjergj Bojaxhi: Dmth meqenëse unë kam qenë i pastër, kam qenë i çmendur.
Artan Shkreli: Një herë në javë laheshin të gjitha familjet shqiptare, veç familjes tënde
Në debat e sipër, teksa aktivisti Gjergj Bojaxhi kërkonte llogari për mungesën e ujit, Artan Shkreli tha: Ti nuk mund të më kërkosh llogari mua se standardi shqiptar është ky që është sot.
Gjergj Bojaxhi: Pse nuk e ke ti përgjegjësinë?
Artan Shkreli: Jo, nuk e kam standardin e zviceranëve unë. E kam më poshtë unë.
Gjergj Bojaxhi: Na thuaj cili është standardi që ti paske, ta dimë… Në ligj e ke standardin si në Europë.