Skip to content

Shkrirja e disa bashkive shkaktoi debat në opinionin publik/ PS: Çdo qendër e prekur do të vijojë të ketë përfaqësim institucional. Nuk zhduken bashkitë ose qytetet

harta

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka reaguar për të sqaruar informacionet që kanë qarkulluar së fundmi në media lidhur me procesin e Reformës Administrativo-Territoriale, duke theksuar se konsolidimi territorial nuk nënkupton “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti.

Sipas sqarimit zyrtar, bashkitë e përfshira në këtë proces do të ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato do të bëhen pjesë e një strukture të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, ndërsa do të vijojnë të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se çdo qendër e prekur nga reforma do të vazhdojë të ketë përfaqësim institucional. Ky përfaqësim do të realizohet përmes nënkryetarit përkatës dhe anëtarëve në këshillin bashkiak, si edhe përmes një roli të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit.

Sipas autoriteteve, qëllimi i Reformës Administrativo-Territoriale është krijimi i një organizimi më efikas të qeverisjes vendore, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e identitetit, historisë dhe lidhjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë.

Reagimi i plotë:

Përshëndetje,

Një sqarim dhe informacion shtesë në lidhje me lajmet që po qarkullojnë nëpër media sa i takon procesit të Reformës Administrativo – Territoriale.

Konsolidimi territorial nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti.

Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato përfshihen në një strukturë të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore.

Çdo qendër e prekur nga ky proces do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe një rol të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit.

Ky proces synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë