Një apartament në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës, ngjarja është raportuar rreth orës 17:49 nga Policia e Shtetit, pasi zjarri kishte përfshirë katin e parë të një pallati.

Menjëherë në vendngjarje është nisur një automjet zjarrfikës me efektivët përkatës.

Gjatë ndërhyrjes u konstatua se brenda banesës ndodhej një e moshuar, 83 vjeçe, Çevi Jonuzi, e cila ishte e asfiksuar dhe e pamundur të dilte vetë nga banesa e përfshirë nga flakët.

 

Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë me shpejtësi, duke bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarës dhe transportimin e saj drejt urgjencës për marrjen e ndihmës së parë.

Operacioni vijoi me neutralizimin e flakëve dhe vendosjen e zjarrit nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në banesat përreth.

Si pasojë e zjarrit, banesa pësoi dëme materiale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re