Vilson dhe Fatjon Dautaj, babë e bir që u sulmuan me armë zjarri, thika e sende të forta në fshatin Mavrovë të Vlorës, janë lënë në “arrest shtëpie”, nga Gjykata e këtij qyteti. Babë e bir u sulmuan befasisht nga tre persona ende të panjohur, ndërsa kjo ishte hera e dytë që ata janë vjedhur në stanin e tyre, ku kultivonin dhe mbanin hashashin e tharë.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot, prokurori i çështjes, i kërkoi trupit gjykues që gjykata të vendoste masë sigurimi “Arrest shtëpie” për të arrestuarit Vilson Dautaj për shkak të gjendjes së tij shëndetësore jo të mirë. Ndërsa për djalin, Fatjonin, është kërkuar caktimi i masës së “arrestit në burg”. Babë e bir akuzohen nga prokuroria për “Kultivim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”.

“Ora News”, zotëron dosjen hetimore, ku evidentohet fakti se Fatjon Dautaj, është njeriu që ka kultivuar shumë pranë stanit të bagëtive, një miniparcelë me 180 rrënjë kanabis.

Madje në dosje thuhet se kjo është hera e dytë që familja Dautaj, sulmohet nga hajdutët, pasi gjatë muajit Shtator ka pasur dhe një tjetër rast, ku i është vjedhur një sasi hashashi e tharë. Për të shmangur një vjedhje të dytë, Fatjon Dautaj, është armatosur duke mbajtur me vete një automatik kallashnikov dhe një pushkë gjysëm automatike.

 “…parcela me drogë është mbjellë nga ana ime dhe unë e ruaja së bashku me babain tim. Rreth orës 02:00 na kanë ardhur 4-5 persona, tre me maska dhe dy pa maska, të cilët na kanë zënë në befasi dhe na kanë goditur. Personat unë nuk kam arritur t’i dalloj, por dhe ne i kemi qëlluar ata dhe besoj se mund t’i kemi dëmtuar.

Njëri prej tyre më ka goditur dhe unë kam rënë pa ndjenja dhe më pas na kanë lidhur me litarin e barit. Unë jam zgjuar nga kjo gjendje dhe kam mundur të zgjidhem. Kam zgjidhur dhe babain dhe më pas kemi shkuar në spital. Armën automatike e kam përdorur vetë, por këto ditë nuk kam mundur ta përdor pasi grabitësit më kanë kapur në befasi…”-tregon në dëshminë e tij Fatjon Dautaj.

Ky i fundit më tej në dëshminë e tij ka treguar se një nga personat grabitës, i ka shkuar me armë dhe ja ka vënë në kokë, duke i thënë: “…mos lëviz, se do të vras…”.

“…njëri nga personat që kishte dhe elektrik më pyeste se ku e kisha mallin dhe fliste si me hundë, i cili ka qëlluar me armë në ajër tek kasollja duke më bërë presion që të nxirrja ku e kisha mallin që kisha prerë. Ndërsa unë ju përgjigja se ma kishin vjedhur…”-ka treguar Fatjon Dautaj.

Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka gjetur miniparcelën me 180 rrënjë kanabis në një distancë prej 150 metra larg stanit. Të gjitha rrënjët janë prerë dhe djegur në natyrë, ndërsa për efekt të hetimeve janë marrë 5 maja kanabis me qëllim ekspertimin e tyre.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re