Analisti dhe gazetari Armando Shkullaku, i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, tha se problemi me paketën antishpifje nuk qëndron tek gjoba apo dënimi por zëvendësimi i gjykatës nga mazhoranca.

Shkullaku u shpreh se çdo njeri që i cenohet e drejta duhet të shkojë në gjykatë dhe dënimin e jep kjo e fundit dhe jo kryeministri Edi Rama.

Armand Shkullaku: “Problemi nuk është as shifra e gjobës dhe as dënimi që dikush duhet të marrë në rast se shpif, problemi që kemi është intervenimi i një pushteti tjetër në një pushtet tjetër. Zëvendësimi i gjykatës, i ekzekutivit nga mazhoranca, nga administrata, nga një institucion si AMA apo AKEP.

Ndërkohë që çdo njeri në rast se i cenohet e drejta e tij, liria është i lirë të shkojë në gjykatë dhe pastaj dënimin ta përcaktojë 20 vite burg apo 100 milionë lekë gjobë por këtë ta japë Gjykata dhe jo Edi Rama. Edi Rama nuk është gjykatë.”

Gazetari shtoi se interneti nuk është pronë e Ramës dhe Ballës por e të gjithëve duke theksuar se “fake news” e rregullon tregu dhe jo lideri suprem.

Armand Shkullaku: “Interneti nuk është pronë e Edi Ramës as e Taulant Ballës, është pronë e të gjithëve. Ne kemi për detyrë të regjistrohemi, të paguajmë taksat, të paguajmë sigurimet e gazetarëve që punojnë për ne. Në rast se kalojmë të drejtat tona kemi pasur raste plot që kemi shkuar në gjykatë.

Përgjegjshmërinë nuk e përcakton dot Putini dhe Erdogan, apo Edi Rama. E përcakton kodi i etikës dhe tregu. Në rast se jemi të papërgjegjshëm dhe themi fake news gjithë kohës atëherë sigurisht që besueshmëria jonë bie, bie lexueshmëria, pakësohen të ardhurat dhe humbasin besimin. Këtë e rregullon individi por jo lideri suprem, është e pamundur.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re