Ministrat e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i kanë dorëzuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskit dorëheqjet e tyre të kushtëzuara, të cilat do të hyjnë në fuqi kur opozita VMRO DPMNE të votojë për amendamentet për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Këtë e ka bërë të ditur lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili në Facebook i ka publikuar një letër dërgua partnerit të koalicionit, kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Ahmeti e shpjegoi vendimin për dorëheqje duke thënë se përkrahja e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese është kushtëzuar me daljen e BDI-së nga qeveria dhe theksoi se kjo është e nevojshme për shkak se vendi është në një fazë kritike të procesit të integrimit evropian dhe vendimit.

“….Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare,   ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar!”

VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme

Dalja e BDI-së nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, siç kujtojnë mediat, është vënë si kusht nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Klubin e deputetëve në Shkup më 7 qershor.

Koalicioni qeverisës ka filluar procesin e amendamenteve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë për të përmbushur këtë detyrim për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të nëntorit, por sipas ministrit të Jashtëm dhe nënkryetarit të BDI-së Bujar Osmani i mungojnë tetë vota për shumicën e nevojshme prej dy të tretash në parlamentin me 120 ulëse.

Në korrik 2022, Maqedonia e Veriut filloi fazën e parë të negociatave me Bashkimin Evropian në Bruksel, por për të kaluar në fazën e dytë dhe për të filluar hapjen e kapitujve, ajo duhet të përfshijë bullgarët në Kushtetutë deri në fund të shqyrtimit, për të cilin koalicioni qeverisës nuk ka mbështetjen e nevojshme të VMRO-DPMNE-së, e cila çdo ditë përsërit se “nuk pajtohet me ndryshime sipas diktatit bullgar” dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re