Një liturgji e përbashkët është mbajtur mes Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) – Kryepeshkopatës së Ohrit në Shkup, ku kreu i KOS, Porfiri e njohu autoqefalinë e KOM.

Në fjalën e tij ai tha se pas kompletimit të dokumenteve ligjore do të përgatitet një akt zyrtar dhe do të njoftohen të gjitha kishat e tjera kanunore ortodokse.

Porfiri tha se pret që të gjitha kishat vendore ta pranojnë statusin autoqefal të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Vëllezër dhe motra, jemi të sigurt se edhe kishat e tjera lokale do ta mirëpresin autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit”, tha Patriarku Porfirio.

Liturgjia u mbajt në ditën e edukatorëve të shenjtë sllavë, Kiril dhe Metodi.

Liturgjia e përbashkët në Shkup u konsiderua si vazhdimësi e ngrohjes së marrëdhënieve mes dy kishave, e cila filloi me një liturgji të përbashkët të enjten e javës së kaluar në kishën e Shën Sava-s në Beograd.

Të dy vendet dhe dy kombet kishtare e shënuan këtë liturgji si një akt historik, i cili vërtetoi tejkalimin e përçarjes 55-vjeçare dhe ripërtëritjen e kungimit kanonik dhe eukaristik.

Më 9 maj, Patriarkana Ekumenike e njohu Arqipeshkvinë e Ohrit si kanonike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re