Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, u shpall zyrtarisht “Kryeqyteti i Kulturës Evropiane” për vitin 2028.

Vendimi është bërë i ditur nga Komisioni Evropian në një ceremoni në Shtëpinë e Historisë Evropiane në Bruksel, pas prezantimit të aplikacioneve të qyteteve të përzgjedhura në listën e ngushtë. Konkurrenti kryesor i Shkupit ishte qyteti malazez Budva.

Ministrja e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, pohon se Shkupi është “i gatshëm të përballojë sfidën”.

Një sukses i madh për Maqedoninë e Veriut

“Duket se Shkupi është krijuar ndër shekuj për këtë sfidë. Nën flamurin evropian dhe maqedonas do të ngremë energjinë krijuese për t’u përhapur në të gjithë kontinentin. A ka vend më të mirë për këtë se Shkupi”, pyeti Kostadinovska-Stojçevska.

“Shpallja e Shkupit “kryeqytet i kulturës evropiane” për vitin 2028 është një sukses i madh për vendin tonë, posaçërisht duke pasur parasysh përkushtimin që kemi si shtet që përpiqet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Kostadinovska-Stojçevska për median vendase.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re