Skip to content

Shkurtaj “merr për dore” Kukësin, debutim pozitiv për Abazajn

Ashtu siç edhe pritej, transferta vlonjate përballë Flamurtarit nuk rezultoi aspak problematike për Kukësin, që arriti të triumfojë me rezultatin 0-3 dhe të ngjitet në kuotën e 6 pikëve, në krye të renditjes bashkë me Skënderbeun.

Vlonjatët janë një skuadër e ndërtuar rishtazi dhe kjo u pa qartë edhe në fushën e lojës, ku kishin zbritur shumë lojtarë të rinj, të cilët njihnin pak ose aspak lojën e njëri-tjetrit, ndërsa nga ana tjetër verilindorët janë një nga të paktat ekipe që kanë punuar mirë në verë.

Flamurtari rezistoi vetëm 23 minuta në sfidën e sotme, pasi ishte sulmuesi vlonjat i Kukësit, Vasil Shkurtaj, që pas një topi të marrë në zonë, veproi bukur teknikisht dhe arriti të gjuajë e të shënojë golin e avantazhit.

Në pjesën e dytë ishte sërish Shkurtaj që shënoi golin e dytë, pasi shtyu në rrjetë një asisti perfekt të Edis Maliqit, ndërsa 10 minuta më vonë ishte mbrojtësi shkodran i Flamurtarit, Olsi Gocaj që shënoi një autogol naiv dhe “vrau” shpresat e vendasve për një rezultat pozitiv në këtë takim.

Debutoi për verilindorët edhe blerja më e re e këtij sezoni, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Kristal Abazaj, i cili erdhi në huazim nga Anderlechti dhe ishte protagonist në autogolin e Gocajt, pasi çoi në zonë topin që shkodrani e devijoi në rrjetë.

Minutat e mbetura u zhvilluan kryesisht në gjysmëfushën vlonjate, ku Kukësi mund të kishte shënuar edhe 2-3 gola të tjerë, por u tregua i rezervuar, ndërsa trajneri i vlonjatëve Sadedini preferoi të eksperimentojë me futbollistët e rinj të hedhur në fushë.

Pas javës së dytë, Kukësi dhe Skënderbeu janë të vetmet skuadra që ia dolën të marrin 6 pikë të plota, ndërsa Laçi, Flamurtari dhe Luftëtari janë ekipet që kanë mbetur në kuotën e zero pikëve.

Kategoria Superiore do të rikthehet sërish në fundjavë, kur të shtunën në orën 16:00 Teuta do të përballet me Luftëtarin, ndërsa në orën 19:00 vëmendja do të spostohet në “Loro Boriçi”, për sfidën mes Vllaznisë e Tiranës.