Adnan Ramadani i njohur me emrin e artit Xhabir Tabaku, është një ndër shkrimtarët shkodran më të spikatur. Ai është autor i vëllimeve poetike “Gri” dhe “Bir i fllazës”.

Ndërkohë që vijon krijimtarinë e tij, Tabaku jeton në SHBA dhe prej aty në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit” bëri një rrëfim emocionues.

Ai foli për gjithçka, nga largimi nga Shqipëria, shkëputja nga shkrimi deri te arsyeja pse zgjodhi këtë pseudonim.

“Unë jam larguar nga Shqipëria në vitet ’90 dhe deri atëherë pata shkruar, edhe ishte e pamundur për të botuar, ndoshta edhe vetë nuk kisha ndonjë interes të madh në atë kohë. Edhe vitet e para të emigrimit janë intensive jashtë këtyre fushave, më vonë u riktheva, se si gjithmonë kam pasur një dozë mosbesimi për të shkruar drejt botimeve.

Ideja pse kam zgjedhur këtë emër vjen nga një shok që kam pasur në fëmijëri kur isha në një kamp veror dhe ai i shkreti u nda nga jeta herët se ishte i sëmurë. Edhe kur vendosa të krijojë një pseudonim për veten përpara se të dilja në median sociale, atëherë preferova emrin e tij. Mu duk sikur po e sjell edhe një herë në jetë në një formë tjetër. Mbiemrin e zgjodha sepse doja një mbiemër që të tingëllonte pak a shumë shkodran dhe mbiemrin tim nuk desha ta përdor. Edhe mora një libër me historikun e shkodranve dhe mbiemri i parë që do më dilte do vendosja. E mora librin dhe më qëlloi kapitulli i Tabakëve, edhe atë zgjodha”, u shpreh ndër të tjera Tabaku.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re