Autoritetet izraelite vazhdojnë të mbajnë në burg 60 gra palestineze, shumica e të cilave u arrestuan pas 7 tetorit, njoftoi një organizatë joqeveritare lokale.

Duke folur për Anadolu, Amal Sarahneh, zyrtare e medias në Shoqatën e të Burgosurve Palestinezë (PPS), tha se ushtria izraelite arrestoi 56 gra dhe vajza palestineze në valën e madhe të arrestimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor pas 7 tetorit, duke ndaluar deri më tani 3.260 persona.

Sarahneh shtoi se Izraeli ka liruar 33 gra palestineze sipas marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve me grupin e rezistencës me bazë në Gaza, Hamasin, gjatë katër ditëve të fundit.

Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha më herët se Tel Avivi do të dakordohet për lirimin e 50 grave palestineze në shkëmbime shtesë me Hamasin, në këmbim të lirimit të izraelitëve të mbajtur në Gaza.

Përpara 7 tetorit, numri i palestinezëve të ndaluar në burgjet izraelite ishte rreth 5.200, duke përfshirë më shumë se 1.000 që mbaheshin në burgim administrativ pa akuza apo gjyq.

Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që nga shpërthimi i luftimeve më 7 tetor midis grupeve palestineze dhe Izraelit në Gaza.

Të paktën 241 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori, ndërsa mbi 2.850 të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re