Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH), si përfaqësuesja legjitime e mbi 13,500 qytetarëve të verbër dhe me dëmtime të rënda të shikimit në vend, shpreh keqardhje dhe indinjatë të thellë për përdorimin e gjuhës diskriminuese dhe poshtëruese nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në një aktivitet elektoral të zhvilluar në Lezhë.
Në këtë deklaratë ai u shpreh si më poshtë:
“Kur njeriu i ka sytë top, është më i verbër se dikush që nuk i ka sytë. Kush i ka sytë, s’do me pa, është qorr absolut. Kush është nga veshët top, dhe do të dëgjojë këngën e bufit për natë, është më shurdh nga shurdhi”, është jo vetëm thellësisht ofenduese për komunitetin e personave të verbër dhe të personave që nuk dëgjojnë, por përbën një shkelje të rëndë të standardeve të respektit njerëzor dhe të barazisë së promovuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kjo nuk është hera e parë që z. Rama përdor fjalor fyese ndaj grupeve të ndjeshme. Vetëm pak ditë më parë, ai etiketoi në mënyrë të papranueshme personat me çrregullime të spektrit autik, duke vazhduar kështu një model komunikimi përçmues, që thellon paragjykimet shoqërore dhe cenon dinjitetin e mijëra qytetarëve shqiptarë.
SHVSH i bën thirrje publike Kryeministrit:
• Të kërkojë ndjesë publike, pa vonesë, ndaj komuniteteve që ka ofenduar.
• Të angazhohet realisht për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjuha e përdorur në hapësirën publike.
• Të rikthejë dinjitetin institucional në komunikimin me qytetarët e tij, veçanërisht ata që jetojnë çdo ditë me sfida të mëdha shëndetësore dhe sociale.
Ne nuk jemi metafora, nuk jemi figura stilistike për përdorim në fjalime politike. Ne jemi qytetarë të barabartë të këtij vendi. Dhe do të ngremë zërin për çdo akt, fjalë apo qëndrim që synon të na fyejë, të na përjashtojë ose të na instrumentalizojë.