Ditën e diel në “Air Albania” u zbuluan se kush ishin 24 personalitetet e artit dhe politikës shqiptare mbi 80 vjeç, të përzgjedhur nga qeveria për të marrë dozën e parë të vaksinës se Pfizer.

Vaksinimi nisi që prej orës 09:30, kur në ambientet e stadiumit mbërriti e para aktorja Tinka Kurti, e më pas kamerat fiksuan të hynte edhe Margarita Xhepa, regjisori Piro Milkani, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, si dhe këngëtari Sherif Merdani. Pjesë e personaliteteve të moshuar që morën vaksinën ishte edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi.

Pikërisht kjo u diskutua në emisionin “Shqipëria Live”, ku të ftuarit ishin kundër këtij vendimi, duke dhënë të gjithë argumentet e tyre.

Në lidhje të drejtpërdrejtë ishte Neritan Ceka, i cili tregoi edhe njëherë se e ka kaluar Covid-19 dhe se është i imunizuar. Sipas tij, pushteti ndan varfërinë.

Ai shprehet se nuk ka problem që të vaksinohen 80-vjeçarët, por nuk është puna VIP-a apo jo. “Nuk kishte nevojë për një show poshtërues, një diskriminim negativ. Kanë bërë figurën më të keqe dje kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë. Vdekja dhe jeta në dorën e pushtetit”, tha Ceka.

I pyetur nëse do shkonte të bënte vaksinën nëse emri i tij do të ishte në atë listë, Ceka tha “jo”.

“Do kisha kërkuar që t’ia jepja një kolegut tim. Mund të ja jepja një personi që ka më shumë nevojë se unë. Por e mira do të ishte që të ishin vaksina më shumë. Duhej të ishin 200 mijë dhe jo 20 mijë doza”, përfundoi Ceka.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re