U shpall sot konkursi i hapur për projekt ide për ndërtimin e Muzeut Besa, mbi historinë e shpëtimit të hebrenjve, traditën, kulturën dhe artin hebraik.

 

 

Konkursi do të zhvillohet në dy faza: Në fazën e parë të aplikimit, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipeve, kualifikimet, metodologjinë e punës dhe vizionin për sitin, duke përfshirë një koncept paraprak. Në fund të kësaj faze, juria do të përzgjedhë pesë skuadrat dhe konceptet më të mira, të cilët do të mund të vazhdojnë punën për fazën e dytë.

 

 

Në fazën e dytë, juria do të shqyrtojë propozimet e 5 ekipeve të përzgjedhura dhe do të zgjedhë propozimin fitues. Juria e konkursit do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ekspertë vendas dhe të huaj me përvojë në fushën e arkitekturës, muzealizimit, kurimit të ekspozitave etj.

 

 

I pranishëm në këtë aktivitet ishte kryeministri Rama i cili përshëndeti çeljen e këtij konkursi, duke e vlerësuar veç të tjerave si një tjetër moment shumë të rëndësishëm për historinë, zhvilimin urbanistik dhe për aktitekturën e Tiranës.

 

 

“Është një hapësirë e kombinuar ku shtëpia me “sekrete” të historisë së shpëtimit të hebrenjve është qendra e gravitetit të këtij projekti.

E ku realisht na krijohet mundësia që do të dokumentojmë, të arkivojmë, të kemi një punë të mirëfilltë shkencore, e cila nuk nis faktikisht me muzeun, as në Vlorë, as këtu, por ka nisur prej kohësh dhe mund të përmend me shumë respekt dhe me shumë mirënjohje profesor Shaban Sinanin, i cili është një qëmtues shumë i përkushtuar dhe shumë i vëmendshëm i kësaj historisë, autor i disa veprave me shumë rëndësi në këtë drejtim dhe të tjerë që janë të lidhur me Akademinë tonë të Shkencave, që do të jenë patjetër një mbështetje shumë e rëndësishme për t’i dhënë jetën e përditshme këtij muzeu të ri, i cili, jo thjeshtë do të mbledhë dhe do të ekspozojë fotografi, dokumenta apo imazhe filmike, por njëkohësisht do t’iu shërbejë atyre që duan të hyjnë më thellë me shumë më tepër informacion.

Më vjen shumë mirë që e shpallim sot këtë konkurs, me të gjitha kushtet për të pasur arkitekt dhe studio prestigjioze, siç faktikisht na ka ndodhur me konkurset tona ndërkombëtare.”– tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re