Gazetari Fatos Mahmutaj e ka quajtur si show-in e radhës të mazhorancës shpalljen e viktimave të 21 janarit si “Dëshmorë të Atdheut”, ndonëse ky është një vlerësim mëse i merituar. Sipas Mahmutajt, vetë politika shqiptare e mban peng këtë çështje dhe nuk lejon zbardhjen e saj, ndihmuar dhe nga ky sistem drejtësie qe kemi aktualisht.

Për sa i përket pjesës së fajit për 4 vrasjet e 21 janarit, gazetari thotë se të dyja palët kanë fajin e tyre: e djathta sepse vrau burracakërisht protestuesit dhe e majta sepse nuk çon zbardhjen deri në fund.

“Ky është një show qesharak, nga këto ping-ponget e politikës shqiptare.Legjislacioni të lejon rihapjen e dosjeve deri në 20 vjet pasi kanë ndodhur.

Nga përvoja ime, do të sillja disa dosje të tjera që janë akoma më katastrofike. U dënua dikush nga dosja e Gerdecit, sepse nuk kishte numëruar mirë fishekët, dhe nuk dënohet djali i ish-kryeministrit?

U vra ai Kosta Trebicka dhe nuk u dënua njeri. Pra janë disa lloj çështjesh, të cilat nuk çohen deri në fund. Me këtë lloj drejtësie që ka Shqipëria, politika e mban peng  21 Janarin”, u shpreh Mahmutaj.

Ndër të tjera, gazetari ka folur edhe mbi plagosjen e tij në protestën e 21 janarit.

“Nuk është se kam shkuar në momentet e para të protestës. Kam shkuar shumë vonë, rreth 1 ore para se të plagosesha. Shkova te makinat e djeguara pranë piramidës, të cilat ishin djegur nga adoleshentë.

Momenti me fatal kur isha në platformën përballë kryeministrisë ku u vra një person pranë meje. Kishim gjetur një vend më lart se të tjerët dhe thjesht po filmonim.

Pastaj filluan të shtënat nga bodrumi, dhe mësova se ishte Agim Llupo. Në këtë moment u qëllua edhe nga tarraca dhe mora vesht që ishte pistoleta e Ndrea Prengut.

Çështja është e zbardhur. Nuk ka nevojë më për zbardhje të mëtejshme. Duhet që drejtësia thjesht të veprojë. Në 10 vitet e ardhshme nuk do të ketë ndonje gjë konkrete”, tregoi më tej gazetari.

Mahmutaj solli dhe një panoramë të situatës gjatë protestës.

“Një makinë e një televizioni u dogj, pasi televizioni ishte pozicionuar pranë qeverisë së kohës. Ndërkohë kam parë kolegun e një tjetër televizioni që e nxorren nga makina dhe e rrahën. Më pas kam parë një tjetër që e rrahu policia.

Për ironi të fatit nuk pashë asnjë polic ta kisha afër atë ditë. Të vetmin moment që i kam parë nga afër ishte kur u sulmua policia”, tha ai.

Për sa i përket shpalljes së viktimave Dëshmorë të Atdheut, gazetari thotë se ky ësht një vlerësim i merituar por i vonuar.

“Të ndjerët e meritonin këtë lloj vlerësimi, madje është shumë i vonuar. Këto janë garnitura politike, show politik, që çdo 21 janar të bëjmë diçka të re. E njëjta histori do vazhdojë gjithmonë”. 

Në lidhje me fajin e këtyre vdekjeve, Fatos Mahmutaj u shpreh se të dyja palët kanë faj.

“Ana e djathtë bëri ekzekutimet. S’dua të fajësoj të gjithë PD-në. Përgjegjësia ishte personale. Ish-Kryeministri, (S’dua t’ia përmend emrin se më vjen ndot), për atë karriken e vet, urdhëroi të vriteshin protestues, kur protestuesit nuk po bënin asgje.

Nuk po qëllonte kush, nuk po afrohej kush te gardhi. Në atë moment u qëllua, u qëllua me një formë burracakërie. Të dyja palët e politikës, me konsensusin e heshtur që bëjnë, janë të dy fajtor. Ana e djathtë për burracëkërinë, ndërsa ana e majtë për mos-zgjidhjen e kësaj çështje”, përfundoi gazetari.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re