Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka komentuar shpalljen non-grata të Sali Berishës në SHBA. Shkullaku tha se vendimi është i gabuar dhe selektiv.

“Unë mendoj se është qëndrim politik, i gabuar dhe selektiv. Është i gabuar se vjen pas dhjetë vitesh, kur ne e dimë rolin që ka patur Berisha si minues i demokracisë, në vitin 92-98. Kur shqiptarët në 2013 e dhanë verdiktin e tyre me votë kundër Berishës, do të kishte vlerë vendimi në atë kohë. Nuk besoj se kemi një Berishë më anti-amerikan sot se Berisha i vitit 98’.

Mbaj mend kur John Kerry mbajti fjalim në Pragë dhe tha që Ballkani vuan nga korrupsioni dhe krimi organizuar, drejtësia duhet të godasë ata që qeverisin.

E quaj politike, për shkak se SHBA dhe partnerët e tjerë i kanë patur informacionet e tyre dhe e dinë se si janë bërë zgjedhjet në Shqipëri. E dinë që ka mbi 750 mijë shqiptarë që nuk e duan Edi Ramën dhe do të mjaftonte një shkëndijë që të thoshin nuk njohim zgjedhjet do të protestojmë, Shqipëria hynte në spiralen e konfliktit. Për të ndaluar një gjë të tillë, u godit Berisha duke ditur rolin dhe peshën e tij. Dy ishin individët që mund të ndiznin këtë shkëndijë, Berisha dhe Meta“, tha Shkullaku.

Analisti deklaroi se lidershipi i PD, duhet të ketë një qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje.

“PD dhe kandidatët në garë duhet të kenë një qëndrim. Është ngjarje e madhe. Berisha është historia e PD-së dhe boshti i PD-së. Është edhe karakteri i PD-së. Kemi thënë që nuk është shkëputur partia nga Berisha. Çdo figurë qëndrore e PD-së, duhet të ketë qëndrim për këtë gjë. Nëse PD distancohet nga Berisha dhe nuk e quan pjesë të grupit parlamentar, me kriterin që cdo vendim i DASH është i zbatueshëm. Ose të thonë se vendimi i Sekretarit të Shtetit është i gabuar“, deklaroi Shkullaku.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re