Me dobësimin e pandemisë Covid-19 përgjatë vitit 2022 janë tkurrur edhe fondet publike për financimin e sektorit të shëndetësisë, edhe pse ende ky sektor paraqet nevoja të larta për përmirësimin e shërbimeve dhe sidomos në aksesin e popullatës në medikamente falas.

Në buxhetin fillestar që hyri në zbatim në janar 2022, Ministrisë së Shëndetësisë iu miratua një buxhet total prej 74 miliardë lekësh, (shëndetësia dhe mbrojtja sociale), por përgjatë dy rishikimeve që u bënë në ligjin e buxhetit në mars dhe në korrik 2022 fondet për shëndetësinë u shkurtuan në mënyrë sistematike. Këto shkurtime u bënë përkundër këshillave të donatorëve (Bankës Botërore), e cila sugjeroi se çdo rishikim dhe ri-alokim i buxhetit nuk duhet të prekë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, pasi përveç se janë prioritare kanë pamjaftueshmëri të lartë fondesh në raport me nevojat.

Në aktin normativ të datës 12 mars 2012, qeveria rishikoi me ulje fondet për shëndetësinë duke i çuar në 76,6 miliardë lekë me një ulje në total me 344 milionë lekë ose 0.46%. Nga të gjitha programet shkurtimin më të madh të fondeve e kishte “Shërbimi i Urgjencës Kombëtare”. Fondet totale në këtë program nga 334,1 milionë lekë që ishin në fillim të vitit ranë në 310 milionë lekë me reduktim 7.2 % .

Fondet në dispozicion të zërit “Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi” u ulën gjithashtu me 10.7 % duke arritur në 339,4 milionë lekë nga 380.2 milionë të miratuara në fillim të vitit.

Ulje të fondeve pati edhe në programet e “Shërbimet Kujdesit Parësor” dhe “Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor” por me një masë më të ulët, me nga 0.06% dhe 0.3 % secila.

Programi i “Shërbimeve të Shëndetit Publik” pati një ulje me dukshme me 2%. Fondet buxhetore për këtë zë me rishikimin e parë të buxhetit arritën në 6,230 milionë lekë nga 6,360 milionë lekë që ishin në ligjin fillestar të buxhetit.

Rishikimet çuan me ulje edhe fondet për “Përkujdesin Social” të cilat u reduktuan me 0,2% në aktin normative të marsit 2022 .

Pavarësisht se grumbullimi i të ardhurave për arkën e shtetit gjatë vitit 2022 rezultoi me rritje rekord, ndryshimet buxhetore që u aplikuan në muajin korrik të këtij viti ulën më tej fondet për shëndetësinë.

Në aktin normativ të datës 29 korrik të 2022-s buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë u reduktua më tej duke arritur në nivelin e 74.7 miliardë lekëve, vlerë kjo 2.6 për qind më e ulët se rishikimi që u bë në mars dhe 3% më e ulët se në buxhetin fillestar . Rishikimi i dytë i buxhetit 2022 uli në mënyre evidente fondet për të gjithë zërat e programeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Totali i buxhetit për shëndetësinë u reduktua në mes të vitit me 2,3 miliardë lekë (19,5 milionë euro me kursin e këmbimit 1euro =121 lekë) nga fondi i fillimit të vitit.

Shkurtimet më të mëdha në vlerë u bënë në programin “Shërbimet e Shëndetit Publik” me mbi 16 për qind. Fondi total në këtë zë arriti në 5,338 milionë lekë nga 6,360 milionë lekë që ishin në buxhetin fillestar. Reduktimi ishte i lartë edhe për zërin “ Shërbimet e Kujdesit Parësor” , i cili me rishikimin e muajit korrik arriti në 7,948 milionë lekë ose 9.7 % më i ulët se i fillimit të vitit.

Për zërin ”Shërbimet e Kujdesit Dytësor”, një zë që përfaqëson shpenzimet nga spitalet në të gjithë vendin, rishikimi i korrikut uli fondet me 1% në krahasim me buxhetin fillestar. Fondet në këtë zë arritën në 32,999 milionë lekë nga 33,342 milionë lekë që ishin në fillim të vitit.

Në zërin “Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi” fondet u shkurtuan me 3.1 % në raport me buxhetin fillestar. Fondi total në këtë zë me rishikimin e korrikut arritën në 329,4 milionë lekë nga 380,2 milionë lekë që ishin në fillim të vitit 2022. Reduktime u bënë edhe në zërin “Përkujdesi Social” fondet e të cilit u shkurtuan në korrik me 64.8 milionë lekë ose me 0.2% në raport me buxhetin fillestar.

Burimi: Ministria e Financave

 

Buxheti fillestar 2022 AN-12/3/2022 AN-29/7/2022
Buxheti total për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 2022 (mijë lekë)       77,075,882         76,722,191          74,714,191
Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi             380,200               339,479                329,479
Shërbimet e Kujdesit Parësor         8,805,125           8,799,701            7,948,561
Shërbimet e Kujdesit Dytësor       33,342,128         33,238,071          32,999,571
Shërbimet e Shëndetit Publik         6,360,146           6,230,854            5,338,854
Shërbimi Kombëtar i Urgjencës             334,162               310,159                310,159
Përkujdesi Social       26,818,130         26,769,602          26,753,242
Rehabilitimi  i te Përndjekurve Politik         1,035,991           1,034,325            1,034,325

 Burimi: Ministria e Financave, Tabelat buxhetore sipas programeve te institucioneve

 

Burimi: transparency.com.al

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re