“Bonusi i bebeve” një stimul financiar që qeveria nisi të japë në fillim të vitit 2019 për nxitjen e lindjeve nuk po jep rezultate në rritjen e lindshmërisë në vend, teksa nga të dhënat shihet se, përfitimet po shkojnë në masë për fëmijët e emigrantëve të lindur jashtë vendit.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në vitin 2021 shpenzimet në zërin “Bonusi i bebeve” arritën në 3,3 miliardë lekë me një rritje 17% në krahasim me vitin 2020, por treguesi zyrtar të lindjeve që INSTAT publikoi këto ditë referoi numri i lindjeve pësoi rënie me rreth 3 për qind gjatë të njëjtit vit.

Vitin e kaluar në të gjithë vendin linden 27.284 foshnja, me rënie 2.8 për qind në krahasim me vitin 2020. Numri i lindjeve raportohet bazuar në të dhënat e Drejtorisë e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e lindjeve të banuesve në Shqipëri. INSTAT shpjegoi se konsiderohen të gjitha lindjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh lindjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile, pranë ish-vendbanimeve të tyre.

Nga viti 2019 kur nisi aplikimi bonusit të bebeve sipas raportimeve të INSTAT nga popullsia banuese në vend kanë lindur 83,920 bebe, por sipas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, bonusi i lindjeve gjatë tre viteve është shpërndarë për 150 mijë bebe.

“Mirëmëngjes, dhe me kënaqësinë e krenarinë për thuajse 150 mijë fëmijë, të cilët kanë përfituar bonusin e bebes në 3 vite, me programin tonë të ri të mbështetjes për çdo të porsalindur, ju uroj një javë të mbarë”, shkruajti kryeministri në rrjetin social “Facebook”.

Duke krahasuar të dhënat e INSTSAT më shifrat e kryeministrit shihet se, mbi 66 mijë foshnja përfituese ishin të lindur jashtë vendit. Rreth 44 për qind e shumës së vënë dispozicion për bonusin ka shkuar për fëmijët e emigrantëve që jetojnë në vende të tjera dhe u regjistruan në gjendjen civile për të përfituar nga nisma e qeverisë.

Që kur nisi aplikimi i bonusit, shpenzimet për këtë zë po rriten me ritme dyshifrore, ndërsa lindjet po bien me shpejtësi nga viti në vit.

Bonusi i bebes është një ndihmë që jepet nga janari i viti 2019 për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë. Prindërve u jepet një çek 40,000 lek për fëmijën e parë 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re