Presidenti i Këshillit të Sovranitetit, Abdulfettah al-Burhan njoftoi shpërbërjen e Këshillit të Sovranitetit dhe qeverisë si dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Burhan në një deklaratë për televizionin shtetëror tha se kanë shpërbërë dispozitat e periudhës së tranzicionit dhe se kanë pezulluar disa pika të Marrëveshjes së Deklaratës Kushtetuese.

Ai njoftoi për një gjendje të jashtëzakonshme në vend, duke shtuar se janë shkarkuar guvernatorët e 18 shteteve.

Burhan premtoi heqjen e gjurmëve të regjimit të vjetër ndërsa shtoi se edhe Komiteti për luftë me korrupsionin është pezulluar.

Përpjekje për grusht shteti në Sudan

Sot në orët e mëngjesit në Sudan, shumë politikanë përfshirë edhe kryeministrin Abdalla Hamdok ishin arrestuar.

Ministria sudaneze e Informacionit njoftoi se kryeministri Hamdok është arrestuar për arsye se ka refuzuar grusht shtetin dhe është transferuar në një vend të panjohur.

Në shumë vende të Sudanit është ndërprerë energjia elektrike dhe interneti ndërsa forcat ushtarake kanë bastisur qendrën e radios dhe televizionit në rajonin Umdurman në kryeqytetin Khartoum duke arrestuar shumë punonjës.

Pas përpjekjes për grusht shteti, pala civile e qeverisë dhe shumë parti politike bënë thirrje që populli të dalë në rrugë.

Pas thirrjes mijëra sudanezë filluan protestat në vende të ndryshme të Khartoum.

Kriza politike në Sudan

Unioni i Dhomave Profesionale të Sudanit, me kërkesën për mbrojtjen e “revolucionit popullor” të dhjetorit 2018 dhe kalimin në qeverinë civile, prej dy javësh zhvillonte protesta me mbështetësit e revolucionit dhe qeverisë aktuale civile në shumë qytete të vendit.

Më parë ky union ka udhëhequr protestat popullore masive të cilat i dhanë fund pushtetit 30-vjeçar të ish-presidentit, Omar al-Bashir.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re