Tre të rinj nga Tirana kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi akuzohen se shpërndanin lëndë narkotike në një aktivitet festiv që zhvillohet në Dhërmi.

Sipas policisë mësohet se në kuadër të operacionit të koduar “Parts 4”, është bërë i mundur ndalimi i shtetasve Ermand Hoxha,  30 vjeç, Xhoi Bare  27 vjeç dhe Kedi Hoxha 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu është sekuestruar rreth 800 doza kokaine dhe 750 doza kanabisi, gati për shitje, 1 peshore elektronike për peshimin e dozave, një shumë parash e përfituar nga shitja e tyre dhe 3 celularë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin doza kanabisi dhe kokaine, kryesisht për turistët apo pushuesit e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.

Ndërkohë 3 ditë më parë, gjatë operacionit policor të koduar “Parts 3”, u arrestuan 3 shtetas anglez të cilët kishin ardhur si turistë dhe shpërndanin doza kanabisi, kokaine dhe ekstazi, në lokalet e natës, në Dhërmi.

Ndërkaq strukturat e Policisë të qarkut Vlorë janë të vendosura për të parandaluar, evidentuar dhe goditur çdo paligjshmëri, si dhe për të garantuar rendin, sigurinë dhe një ambient sa më të qetë gjatë sezonit turistik veror.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re