Një 22-vjeçar në Durrës është arrestuar këtë të diel, 19 prill, pasi dyshohet për shpërndarje kokaine në qytet.

Nga ana tjetër, një 21-vjeçar u procedua penalisht pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një thikë, mjet i cili u sekuestrua së bashku me lëndën narkotike të gjetur tek çanta e të riut të arrestuar.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e 22-vjeçarit, u gjet dhe një sasi tjetër kokaine, e cila gjithashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Durrës / Vijojnë goditjet kundër veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Coast”. Shpërndante lëndë narkotike kokainë në qytetin e Durrësit, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 22-vjeçar. Procedohet penalisht edhe një 21-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një mjet prerës (thikë). Sekuestrohet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe një mjet prerës (thikë).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë dhe merrej me shpërndarjen e saj në qytetin e Durrësit, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të këtij shtetasi. Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Coast”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë, në lagjen nr. 17, Durrës, shtetasi G. R., 22 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi L. Gj., 21 vjeç, të dy banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit G. R., në çantën e dorës iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kokainë. Po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjet një tjetër sasi e dyshuar e së njëjtës lëndë. Në total, u sekuestrua një sasi rreth 188.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike, e llojit kokainë. Gjithashtu, në kuadër të operacionit, u procedua penalisht shtetasi L. Gj. për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi ndodhej me shtetasin G. R. në lagjen nr. 17. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Policisë, iu gjet një mjet prerës (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme“, njofton policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re