Deputeti Flamur Noka në një deklaratë për mediat pas daljes nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh se dënon fyerjet dhe poshtërimin që Lulzim Basha bëri përballë të gjithë deputetëve.

Noka thotë se askush nuk ka guxuar deri më sot që të quajë qeverinë e ish-kryeministrit Sali Berisha ‘llum’.

“Denoncoj leksikun e ulët të kryetarit të PD-së ndaj qeverisë së Partisë Demokratike, më e suksesshmja në 30 vitet e fundit. Denoncoj poshtërimin që Basha i bëri mbrëmë anëtarësisë dhe elektoratit të PD-së, duke e quajtur llum.

Asnjë nuk ka guxuar, as Nano dhe as Rama, ta konsiderojë qeverinë e Sali Berishës dhe bazën  e PD-së si llum, as armiqtë më të mëdhenj”.

Më tej, Noka tha se: “mbrëmë, unë i kërkova Bashës që të marrë përgjegjësi, forca jonë po shkon në zgrip, dhe në qoftë se ai e do sadopak këtë forcë, ai duhet të jepte dorëheqjen. Por ai konfirmoi dje se fati i karriges së tij është më i rëndësishëm se fati i demokratëve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re