Në vitin 2020 u diagnostifikuan me kancer të gjirit 2.3 milionë gra në të gjithë botën. 685 mijë prej tyre, ndërruan jetë.

Brikela Rada kishte bërë një kontroll në vitin 2017 dhe gjithçka kishte rezultuar mirë. Por dy muaj pas vizitës, ajo zbuloi një gjendër. Kujton momentin, kur diçka e vogël të bën të vësh në dyshim të gjithë jetën.

“Mbas dy muajsh duke bërë dush e ndjeva që diçka nuk shkonte në anën e majtë. Me thënë të drejtën u ftoha nga koka deri tek këmba. Nuk dija kujt t’i thoja përpara. I thashë bashkëshortit. Vajza më e madhe më mungonte se nuk ishte aty. Lajmërova shoqet e mia, lajmërova njerëzit e mi, pa ditur asgjë por diçka e ndjeva se ishte një gjendër goxha e madhe”, thotë ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Brikela kreu vizitat e biopsinë dhe rezultoi se ishte prekur nga kanceri i gjirit. Lloji i sëmundjes që e kishte prekur, ishte më agresivi dhe kishte avancuar në faza.

“Të them të drejtën, rasti i dytë që unë shpërtheva në lot, sepse nuk jam njeri që qaj kollaj, sa vajza e madhe u habit dhe tha ‘mami, mami OK, OK mos u shqetëso. Shtangu sepse nuk me kishte parë ndonjëherë një reagim të tillë nga unë…

Edhe pse kisha mbështetjen e bashkëshortit, vajzave, shoqeve, njerëzve të mi, patjetër duhet ta luftoja vetë këtë, se ishte e pamundur… po të mos isha unë vetë ajo luftëtarja, nuk më ndihmonte dot asnjeri për këtë pjesë”, thotë nëna e dy vajzave, e cila prej vitesh jeton në New York.

Beteja e Brikelës zgjati 4 vite, sepse sëmundja iu rikthye plot dy herë.

“Do ta luftoja prapë. Nuk kisha zgjidhje tjetër… Doja ta shihja veten time para pasqyrës ashtu siç isha”, thotë ajo.

Për të mposhtur dhimbjet, rënien e flokëve, që shpirti të mos i thyhej e që shpresat të mos e braktisnin, Brikela u mundua ta jetojë jetën e saj normalisht. Mes seancave të kimioterapisë dhe rrezatimit, ajo vijonte të shkonte në punë.

Ajo e fitoi luftën, një fitore që ia dedikon vetes dhe njerëzve më të afërt.

“Unë këtë ia dedikoj vetes sime, falë temperamentit tim, karakterit tim. Patjetër edhe shoqërisë dhe njerëzve sepse siç thashë unë jam familje e madhe dhe kam njerëz të mrekullueshëm që më rrethojnë”, thotë ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re