Tre shpërthime u dëgjuan gjatë natës në komunat veriore të Kosovës. Policia konfirmoi për mediat se shpërthimet kanë ndodhur në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan, pranë ambienteve të stacioneve të policisë.

 

Nga sulmet nuk pati persona të lënduar, ndërsa është dëmtuar një automjet i policisë.

 

Sulmet ndaj stacioneve policore vijnë dy ditë pas rrëmbimit të tre punonjësve të kufirit, të cilët siç bëjnë me dije mediat në Kosovë, do të dalin sot para Prokurorit të Lartë Publik në Krevalë të Serbisë.

 

Pas kësaj do të vendoset nëse punonjësit e kufirit do të lirohen, apo do të vijojnë të mbeten në qelitë serbe.

 

Nga ana tjetër, për të dytën ditë radhazi dhjetëra mjete të transportit të mallrave vijojnë të mbeten përtej kufirit në pikat që lidhin Kosovën me Serbinë, Merdarë dhe Jarinjë.

 

Asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, që kur qeveria mori vendimin për të rritur masat e sigurisë. Kryeministri Kurti bëri të qartë se masat nuk janë tregtare apo ekonomike, por vetëm për shkak të sigurisë.

 

Ndërsa në Leposaviç, dhjetëra serbë protestuan para ndërtesës së komunës, madje edhe duke tejkaluar kordonin e forcave të KFOR. Edhe pse nuk pati përplasje fizike, tensionet mbeten të larta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re