Shpërthime janë dëgjuar në qendër të kryeqytetit ukrainas Kiev, në orët e para të 14 dhjetorit, tha kryetari i qytetit.

 

 

Vitali Klitscho tha se shpërthimet kanë goditur qarkun Shevçenkivski dhe shërbimet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes.

 

 

Ndërkaq, guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore janë funksionalizuar.

 

 

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar pak kohë pas lëshimit të sirenave paralajmëruese për sulme ajrore, raporton BBC.

 

 

Që nga muaji tetor, Rusia vazhdimisht ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë ukrainase.

 

 

Më vonë, kreu i qytetit të Kievit, Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 10 dronë Shahed, të prodhimit iranian.

 

 

Autoritetet ushtarake në qytetin e Kievit thanë se fragmente të një droni kanë goditur dy ndërtesa administrative që gjenden në qendër të qytetit. Ende nuk dihet nëse ka viktima.

 

 

Ukraina e ka akuzuar Iranin se po e furnizon Rusinë me dronë “kamikazë” që janë përdorur fillimisht në sulmet vdekjeprurëse të 17 tetorit. Por, Teherani fillimisht kishte mohuar këto akuza.

 

 

Më vonë, Irani pranoi se i ka dërguar Moskës një numër të kufizuar të dronëve “shumë muaj” para se të niste lufta më 24 shkurt.

 

 

Në përgjigje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se këto janë gënjeshtra dhe se shumë dronë iranianë po përdoren për të sulmuar shtetin e tij.

 

 

Guvernatori i Kievit, Kuleba, tha se “sistemi i mbrojtjes ajrore po operon. Është e rëndësishme që banorët të qëndrojnë në strehimore dhe në vende të sigurta. Rusia po vazhdon terrorin e saj të energjisë kundër shtetit tonë. Por, ne dita-ditës po bëhemi më të fortë”.

 

 

Për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, shumë ukrainas po përballen me reduktime të energjisë.