Ndërkohë që Europa po përpiqet të shpëtojë pushimet verore pas shkatërrimit ekonomik të shkaktuar nga COVID-19, një vend po përpiqet të tërheqë vizitorë nga 7,242 km larg.

Serbia do të nisë një fushatë marketingu që synon turistët nga Kina, vendi ku u shfaq për herë të parë COVID-19. Kombi i Europës Lindore po përdor një platformë të drejtuar nga Alibaba për të reklamuar manastiret e lashta, vendpushimet malore dhe jetën e natës në kryeqytetin e vendit Beograd, shkruan Bloomberg.

Ka ende sfida. Serbia vazhdon të imponojë disa masa bllokimi dhe nuk ka asnjë fluturim të drejtpërdrejtë midis dy vendeve. Për më tepër, turizmi krijoi vetëm 1.4 miliardë euro të ardhura (1.5 miliardë dollarë) për Serbinë vitin e kaluar – sa 3% e prodhimit ekonomik, për shkak se turistët që udhëtojnë në lindjen e kontinentit, zakonisht zgjedhin kryeqytete më piktoreske, si Praga ose Budapesti.

Sidoqoftë, ekziston një logjikë në këtë plan. Shkalla e infeksionit në Kinë tashmë është shumë më e ulët se në pjesën më të madhe të Europës, që u godit më vonë nga pandemia, dhe turistët kinezë ishin grupi më i madh i të huajve që udhëtoi në Serbi vitin e kaluar, duke arritur shifrën 145,000 veta – një rritje prej më shumë se 40%.
Kjo lidhet kryesisht me politikën.

Megjithëse është kritikuar vazhdimisht për shkeljen e demokracisë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka mirëpritur kredi dhe investime nga Pekini për një pjesë të mirë të dekadës. Kina, së bashku me Rusinë, gjithashtu mbështesin kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Vuçiç ka pranuar edhe furnizimet mjekësore kineze për të luftuar COVID-19 dhe ka përdorur karantinën drastike të vendit aziatik si një model për vendin e vet.

Ai e lavdëroi Kinën për shpërndarjen e maskave dhe ventilatorëve, e quajti presidentin kinez Shi Xhin Pin (習近平) një “vëlla” dhe sulmoi Europën për “përrallën” e solidaritetit – në një kohë kur po përpiqet të anëtarësohet në BE.
Për Kinën, Serbia është një nga sukseset më të mëdha në përpjekjen e saj për të krijuar lidhje ekonomike me Europën Qendrore dhe Lindore në kuadër të programit 17 + 1. Kjo nismë nuk ka shkuar gjithmonë sipas planit – siç tregojnë fërkimet me Republikën Çeke mbi Tajvanin.

Në tërësi, përpjekja e Kinës për ndikim në Europë pas virusit, ka qenë e dështuar. Gjithsesi, nuk ka shumë shanse që vizitorët kinezë të ndeshin armiqësi në Beograd, ku së fundmi u ngrit një tabelë që lavdëron ndihmën e presidentit Shi në luftën ndaj pandemisë.

“Ne i presim ata në Serbi kur të stabilizohet situata e COVID-19”, deklaroi Ministria serbe e Tregtisë dhe Turizmit. Turistët “nuk kanë nevojë për viza dhe mund të mbështeten në mikpritjen dhe mirësjelljen e sebëve ndaj kinezëve”./Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re