Pëllumb Pipero i ftuar në studio më gazetaren në ABC News foli për situatën e rënduar të infeksionit nga koronavirusi në vend. Sipas Piperos edhe pse kemi raste të shtuara të infeksionit ditët e fundit përsëri situata mbetet pozitive.

Ajo çfarë i shqetëson bluzat e bardha, sipas infeksionistit është numri i rasteve të shtuara në spitalin infektiv, pra ata që kanë nevojë për ndihmën mjekësore.

Më tej mjeku infeksionist tha se koha e ekspozimit ndaj ambienteve të infektuara nga Covid është i rëndësishëm sepse sa më shumë të qëndrosh në këto ambiente aq më rëndë infektohesh nga Covid ndaj dhe përdorimi i maskave është i domosdoshëm.

Ky fakt sipas mjekut, është botuar edhe në një studim të fundit që është bërë nga Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve Infektive.

“Është shumë e rëndësishme sa e kemi ulur vigjilencën. Jo më larg se dje ICDS apo qendra evropiane e kontrollit të sëmundjeve infektive ka botuar fakt shumë të rëndësishëm, raportin maska dhe Covid.

Atje ku numri i shitjes së maskave ka rënë 10 herë po kaq është rritur numri i rasteve me Covid, pra virusin e kemi prezent. Tashmë ka përgjegjësi qytetare, nuk ka më urdhër qeveritar.

Është shumë e rëndësishme distanca, kujdesi dhe mbajtja e maskave. Nga ana tjetër është përgjegjësi i institucioneve të bëjnë kontrolle për njerëzit që duhet të mbajnë maskat dhe të ruajnë distancën. Maska është elementi kryesor për të ruajtur kontrollin e epidemisë”.

Për sa i përket numrit të infektuarve të personelit mjekësor në QSUT, mjeku infeksionit mendon se kjo situatë ka ndodhur pasi aty nuk janë respektuar rregullat dhe protokolli i sigurisë.

“Unë nuk mund ta konfirmoj këtë fakt. Në opinionin tim nuk ka valë të dytë, për mua është një ecuri e këtij virusi. Dua të them që, tek ne në QSUT apo diku tjetër, ku ndodh shpërthimi i vatrave nuk respektohet protokolli.  Protokoll do të thotë mbajtja e maskave, koha e vizitës tek pacienti e shkurtër, pacienti që vjen të konsiderohet i infektuar.

Nuk është respektuar ky protokoll. Se çfarë ka ndodhur në pavionet e tjera nuk e analizoj unë, por në opinionin tim nuk është respektuar protokolli. Në këtë fazë që jemi indikator kryesor, se si po ecën epidemia, është numri i rasteve me klinikë dhe numri i rasteve të shtruara në spital. Mund të themi që nëse bëjmë 1000 tamponë rastësisht, të garantoj që 10 apo 12 përqind e tyre janë pozitivë por kjo nuk do të thotë se ata janë të sëmurë.

Dhe persona të tillë që kanë rënë në kontakt me virusin, studimet thonë se personi ka fituar antitrupa mbrojtës, por se sa i gjatë do jetë ky imunitet, duhet ta shohim me kalimin e kohës. Duhet të presim 18 deri në 24 muaj për të thënë se kemi fituar imunitet”, u shpreh Pipero.

Për sa i përket infektimit nga virusi, Pipero sqaroi se personat që qëndrojnë më gjatë në një ambient të infektuar sëmuren më rëndë nga koronavirusi ndaj edhe përdorimi i maskës në ambiente publikë është i domosdoshëm.

“Ky virus, ndryshe nga të tjerët, varet shumë rëndesa e sëmundjes, nga koha e ekspozimit ndaj virusit. Sa më shumë të ekspozohesh në një ambient të infektuar aq më rëndë sëmuresh. Koha e ekspozimit ndaj virusit është shumë e rëndësishme, mosha është shumë e rëndësishme, të sëmurët kronikë janë shumë të rëndësishëm. Mund t’ju them që kjo pandemi na ka dhënë mësime që do të mbeten në histori”, tha mjeku.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re