Kryeministri i Kosovës ka hedhur akuza të forta në drejtim të ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, Mirosllav Lajçak. Ai deklaroi se Lajçak dhe Vuçiç e vunë përballë një skenari të përbashkët, gjatë takimit trepalësh në Bruksel.

 

Analisti Ylli Hoxha ka komentuar reagimet e Albin Kurtit, duke thënë se ka qenë një shpërthim i paralajmëruar pas një procesi të degraduar për diaogun mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Analisti, në një intervistë për Vizion Plus shton se zërat për nisjen e konflikteve në veri të vendit kanë ardhur nga BE, ndërsa shton se ndërkombëtarët duhet të dalin në një konferencë për mediat për të treguar se kush është produkti i marrëveshjes.

 

Intervista e plotë:

 

Si duhet kuptuar shpërthimi i Kurtit zyrtarisht dhe publikisht sot kundër Lajçakut, edhe pse ai nënvizoi se qortimi ndaj tij nuk është ndaj BE por ndaj tij personalisht?

 

Është një shpërthim i paralajmëruar që nga marrëveshja bazike e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, me propozim të Berlinit dhe Parisit. I gjithë procesi më pas ka qenë i degjeneruar dhe i degraduar. Ajo që është marrëveshja e Ohrit që do të duhet të shihtë zbatimin e marrëveshjes bazë, e bëri lëmsh situatën nga fakti se palët nuk pranonin të interpretonin njëjtë atë që ishte në marrëveshje paraprakisht. Këtu jemi 6 muaj më vonë, në një aksident i cili është paralajmëruar dhe i ngjan lëmshit të perit dhe tani ështëvështirë t’ia gjejmë fillin. Duhet mjeshtëri shumë e madhe dhe kujdes shumë i madh që të zgjidhet ai fill. Është krijuar në radhë të parë nga papërgjegjshmëria e BE në mënyrën se si e ka trajtuar problemin.

 

 

Takimi i 14 shtatorit u mbyll në mënyrë të çuditshme, sepse Kurti dhe Borrell deklaruan gjera krejt të ndryshme në përfundim të takimit, gati-gati sa nuk e quajtën njëti-tjetrin gënjeshtar….

 

Nga ai takim janë dy mundësi, ose të ketë gënjyer Kurti ose të ketë gënjyer Borrell. Njëri po. Ajo që unë e shoh është një gatishmëri e BE që të pranojë idenë e Serbisë se mund të interpretojë se çfarë është marrëveshja dhe mund të përzgjedh se çfarë mund të implementojë. Pra, e sheh kërkesën e Serbisë si kërkesë prioritare  dhe kjo ka të bëjë me atë se si europianët e shohin kërkesën me Serbinë në luftën në Ukrainë. Interesi i mbajtjes së raporteve me Serbinë e mbisundon drejtësinë që duhet të ketë ndërmjetësi në zbatimin e kësaj marrëveshje.

 

Situata në veri të Kosovës sot është shumë më e qetë se ajo që ishte në muajin maj, kam parasysh dhe kulmin 29 maj që ishte dhe përleshja mes forcave të KFOR dhe serbëve. Ka zëra që ky esklim mund të rindizet tani, ti si beson?

 

Zërat për fat të keq kanë ardhur nga ndërmjetësit ndërkombëtar. Unë këtë e shoh si shumë shqetësuese. Madje e shoh si dozë kërcënimi që Borrell e përdor. Uroj të mos jetë ashtu. Sidoqoftë, eskalimi ka përfunduar. Mendoj se situata është deeskaluar në muajt e fundit dhe ka pasur një dritare të hapësirës për të intervenuar dhe për të ecur përpara. Palët nuk i besojnë njëra-tjetrës. E vetmja mundësi është që ndërkombëtarët të dalin  në një konferencë dhe se kush është ai produkt i marrëveshjes, përndryshe kjo strategji e BE duket që ka falimentuar me ditën e 14 shtatorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re