Skip to content

Shpërthimi me tritol në dyqanin e Noizy-t, babai i këngëtarit dëshmon në procesin ndaj Laert Haxhiut: Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e provokuan djalin

noizyy laert

Në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, SPAK ka thirrur si dëshmitarë këngëtarin Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe babanë e tij, Bashkim Rajku.

Në seancën e radhës, vetë Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm, ndërsa përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës, Detar Hysi.

Bashkim Rajku u pyet nga prokurori i çështjes, Behar Dibra, lidhur me shpërthimin me eksploziv në biznesin e familjes së tij në Durrës, në qershor të vitit 2022. Ai tregoi se kishte dëgjuar shpërthimin dhe më pas kishte konstatuar dëmet në dyqan, i cili ndodhej në të njëjtin pallat ku jetonte familja dhe ishte marrë me qira.

I pyetur se me çfarë e lidhte këtë ngjarje, Rajku tha se nuk kishte prova konkrete, por përmendi disa konflikte të mëparshme që, sipas tij, mund të kishin lidhje me atë që ndodhi.

“Dëgjuam shpërthimin, orën nuk e mbaj mend se kanë kaluar 4 vite. Dyqanin e kishim në të njëjtin pallat ku jetonim, e kishim me qira. Vumë re se ishin thyer xhamat”, deklaroi ai.

Më tej, duke iu përgjigjur prokurorit, Bashkim Rajku tha se një ditë para shpërthimit, disa persona kishin shkuar me automjete pranë lokalit dhe kishin provokuar djalin e tij.

“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh. Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e kanë provokuar çunin tim, kanë bërë sherr te lokali dhe ndodhi kjo që ndodhi”, u shpreh ai.

Bashkim Rajku deklaroi gjithashtu se nuk kishin pasur më parë njohje me personin që përmendi gjatë dëshmisë, ndërsa vlerësoi se dëmi i shkaktuar nga shpërthimi ishte rreth 30 mijë euro.

Dëshmia e tij u dha në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, ku SPAK po shqyrton edhe rrethana që lidhen me ngjarje të ndryshme kriminale.