Fax News mëson detaje të reja nga shpërthimi me tritol që ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen ”8 Shkurti” të qytetit të Fierit, ku lënda plasëse u vendos në derën e shtëpisë të shtetasit Asqeri Hyskaj. Ky i fundit sipas banorëve të tjerë të pallatit prej 25 vitesh jeton në Itali, është në moshë të thyer, dhe nuk ka pasur probleme me askënd.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, nga tritoli, sasia e të cilit nuk është thënë ende nga policia, kanë pësuar dëme dhe disa banesa të tjera në katin e katërt të pallatit.

Banorët shprehen të bindur se kjo ngjarje ka qenë një paralajmërim për dikë, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë ndryshuar objektivin e tyre.

“Shumë fare, çfarë thua a u trembëm? Familjen e Asqeriut e njohim, këtë verë u kthye, ka tre vajza, vijnë vit për vit që jetojnë në behar aty. Mendova se më plasi dysheku i korentit, i kemi vënë një derë hekuri derës, kishte dalë matanë nga shpërthimi. Asqeriu është 90 vjeç njeri, qysh si ka qenë. Kanë shumë vite në emigracion, dhe vijnë këtu çdo verë, ai ska pasur probleme, është alamet burri, ti thua…”, shprehet një e moshuar, e cila ende nuk e ka marrë veten nga tronditja e një nate më parë.

Ndërkohë që një tjetër banor i pallatit tregon për Fax Neës: Ishte shpërthim i madh, dolëm të tronditur, na thanë që i kishin vënë tritol. Asqeriu kishte 25 vite që jetonte në Itali, është çarë soleta e pallatit, nuk ka të rinj në këtë pallat. Është sinjal për dikë mendoj unë, se për kë duhet ta gjejë policia.

Policia ende nuk ka dhënë një informacion të detajuar për ngjarjen, ndërkohë që edhe sot hetuesit janë pranë pallatit dhe po hetojnë dhe mbledhin informacion, përfshirë edhe disa kamera sigurie që janë të vendosura në zonë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re