Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të hënën akuzoi Iranin se qëndron pas shpërthimit të javës së kaluar në një anije izraelite në Gjirin e Omanit dhe premtoi një përgjigje kundër interesave iraniane “në të gjithë rajonin”.

“Ishte me të vërtetë një operacion iranian. Kjo është e qartë,” i tha Netanyahu radios Khan, raporton AFP.

I pyetur nëse Izraeli do të përgjigjej, ai përsëriti deklaratat e mëparshme të vendosmërisë për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, duke shtuar: “Sa për përgjigjen time, ju e dini politikën time. Irani është armiku më i madh i Izraelit dhe unë jam i vendosur ta ndaloj atë dhe ne do ta godasim atë në të gjithë rajonin.”

Teherani nuk e ka komentuar incidentin ose nuk u është përgjigjur pretendimeve të mëparshme izraelite.

Anija izraelite “MV Helios Ray” ishte në rrugën midis Damamit saudit dhe Singaporit. Shpërthimi ndodhi në brigjet e Sulltanatit të Omanit, njoftoi kompania Dryad Global e ngarkuar me sigurinë detare.

Gjiri i Omanit ndodhet midis Iranit dhe Omanit, në dalje të ngushticës strategjike të Hormuzit, përmes të cilit kalon një pjesë e mirë e naftës në botë dhe në të cilën operon një koalicion i udhëhequr nga SHBA.

Netanyahu aktualisht po bën fushatë për zgjedhjet e 23 marsit.

Radio transmetoi intervistën pas sulmeve të mbrëmshme që i atribuohen Izraelit dhe të kryera kundër elementëve pro-iraniane në Sirinë fqinje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re