Byroja Federale e Hetimit e SHBA (FBI) tha se nuk kishte arritur ende në një përfundim të saktë mbi atë që shkaktoi shpërthimin në Bejrut më 4 gusht, i cili vrau gati 200 njerëz dhe shkaktoi dëme materiale prej disa miliardë dollarësh.

Agjensi të tjera të SHBA dhe Bashkimit Evropian që monitorojnë nga afër hetimin e shpërthimit janë të bindur se shkaku i tij ishte një aksident, por FBI nuk doli në një përfundim të tillë.

“Një përfundim i tillë nuk është arritur. Eshtë e nevojshme t’u bëjmë pyetje shtesë autoriteteve libaneze, të cilët po drejtojnë hetimin,” tha FBI për Reuters.

Media libaneze njoftoi se një raport i FBI mbi shpërthimin shkatërrues u paraqit të hënën në një gjykatë libaneze.

FBI, megjithatë, nuk pranoi të komentonte mbi pretendimet e mediave libaneze.

Një shpërthim depoje me afërsisht 2,750 ton nitrat amoni i ruajtur në mënyrë të papërshtatshme në portin e Bejrutit, i konsideruar si një nga shpërthimet më shkatërruese jo-bërthamore në histori, vrau gati 200 njerëz dhe plagosi rreth 6,500.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re