Fatkeqësisht çdo vit në plazhet shqiptare regjistrohen humbje jetësh. Disa prej mbytjes në ujë e disa të tjerë për shkak të problemeve shëndetësore që lindin prej të nxehtit.

Në Shqipëri aktualisht punojnë rreth 1200 vrojtues plazhi, një numër ky i pamjaftueshëm në raport me nevojat përgjatë gjithë vijës bregdetare shqiptare.

Por përtej numrit të pamjaftueshëm të vrojtuesve, këta të fundit tregojnë se ka plot pushues që shpesh herë neglizhojnë rregullat.

Ismail Haga, mësues fizkulture, punon si vrojtues gjatë sezonit turistik prej 4 vitesh. I trajnuar e licensuar, ai tregon se së bashku me një koleg vrojtojnë 40 metra stacion plazhi.

“Unë kam 4 parcela, kam 1 vrojtues plazhi jam edhe vetë. Afro 40 metra stacion plazhi, dy vrojtues plazhi dhe që janë të ndarë, njëri jep udhëzime, ndërsa tjetri rri tek kulla e vrojtimit. Kur kemi raste emergjence e dërgojmë në spital. Kur ka trafik e çojmë ne në port përmes skafit, atje ku na pret ambulanca.”-shpjegon Haga në një intervistë për klan.

Por shpesh ndodh që sinjalizimet me anë të flamujve, të mos merren seriozisht nga pushuesit. Veçanërisht në rastet kur vrojtuesit vendosin flamurin e kuq, i cili sinjalizon se hyrja në det është jo e lejueshme dhe e rrezikshme.

Foto e percjelle nga Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpetimit ne Uje”

“Ne japim alarmin me altoparlant, duke njoftuar pushuesit… Por edhe pse ne u themi që ka dallgë, shumica e pushuesve abuzojnë. Veçanërisht ata që vijnë nga jashtë shtetit sepse duan ta shfrytëzojnë në maksimum kohën gjithmonë”-shpjegoi Haga.

Një tjetër mësues fizkulture, Festim Sula, i është përkushtuar kësaj pune prej 6 vitesh.

“Unë mbuloj 80 m vijë lineare bregdet. Adriatiku është i rrezikshëm kur ka dallgë, prandaj ne vendosim sinjalistikën kur duhet të lahen pushuesit. Sot përshembull jemi marrë me gjetjen e tre fëmijëve pasi u kishin humbur prindërve të tyre.”-tregoi Sula, i cili vitin e shkuar mundi të shpëtojë 6 persona që rrezikuan të mbyten në plazhin e Durrësit.

Por cilët janë më të rrezikuarit sipas vrojtuesve të plazhit.

“Më tepër janë nga mosha  e tretë të cilët rrezikojnë nga temperaturat e larta të diellit dhe temperaturat e ulëta të detit. Është një kontrast shumë i dëmshëm për trupin. Një kategori tjetër janë fëmijët të cilët prindërit duhet të kenë shumë kujdes, pasi dallgët për fëmijët mund të jenë goxha rrezik. Rreziqet kryesore janë më tepër dallgët që kur ka edhe erë janë akoma më të rrezikshme për pushuesit.”-shpjegoi për Klan vrojtuesi Aron Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re