Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim ditën e djeshme me liderin e VV-së, Albin Kurtin dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Vetvendosja në Kosovë.

Idrizi gjatë takimit ka shprehur vlerësimin e tij për aktivitetin e Vetvendosjes në shërbim të çështjes kombëtare dhe për qëndresë e punën e Albin Kurtit për të ndryshuar gjendjen e Kosovës dikur në pushtim, e sot si një demokraci që po konsolidohet.

“Zgjedhjet ishin një test i kaluar me sukses e përbëjnë një model rotacioni, si për standartet që ruajtën ashtu edhe për rezultatin e tyre. Vota e qytetarëve të Kosovës solli një risi në politikën e vendit duke nxjerrë në skenë një brez të ri por me shumë përvojë politikanësh e së bashku me Vjosa Osmanin e LDK, e cila solli një risi të padiskutueshme në këto zgjedhje, do krijohet mundësia për një politikë të re e të suksesshme. Këto zgjedhje kane turbulluar dhe ujrat e ndenjura të kënetës së politikës Shqiptare dhe shpresoj që pranvera e Kosovës të vijë dhe në Shqipëri” theksoi z. Idrizi.

VV dhe PDIU kanë patur qysh herët një bashkëpunim të suksesshëm si Parti që në fokusin e aktivitetit të tyre kanë çështjen kombëtare. Sot është momenti që bashkpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë të kthehet real e të kalojmë drejt një bashkimi ekonomik, që do jepte mundësinë e rritjes së punësimit dhe konsiderimin si një treg i madh e atraktiv për investimet e huaja. Gjatë takimit u diskutua lidhur me nevojën për të përafruar realisht sistemin arsimor e për të krijuar një model ekonomik që nuk ka barriera artificiale si ato që janë sot. Përtej deklaratave të zjarrta politike sot duhet të jetë koha për të vepruar në dobi të shqiptarëve me hapa real e duke realizuar rikthimin e shpresës në Shqipëri e Kosovë.

Lidhur me krijimin e të ashtuquajturit Schengen Ballkanik, z.Idrizi e vlerësoi si një hap jo të nevojshëm që rikthen nocione të vjetra politike si ajo e ish-konfederatës Jugosllave dhe theksoi se në Shqipëri është e nevojshme të shohim marrëdhëniet me Serbinë duke mbajtur gjithmonë parasysh interesin e Kosovës. Objektivi ynë kryesor është të integrohemi në Europë e jo të kërkojmë artifice që nuk ndihmojnë as Kosovën e as Shqipërinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re