Në këtë kohë të vitit, turistët në plazhet polake hasin shpesh këlyshë fokash. Bëhet fjalë për foshnjat që braktisen nga nënat e tyre dhe që lihen të kujdesen vetë për veten e tyre. Shumë prej tyre nuk do të mbijetonin pa ndihmën e njeriut. Por, për fat të mirë, ka aktivistë vullnetarë si Jani që po bëjnë gjithçka për t’i shpëtuar ata dhe për të ruajtur popullatën e fokave në Detin Baltik.

Jan Wilkanowski në bregdetin polak të Detit Baltik kujdeset për fokat që e gjejnë veten të bllokuara në breg si pjesë e vullnetarëve të Patrullës Blu të WWF-së, e cila kujdeset për shëndetin e fokave të gjetura.

Në një raport të përgatitur nga DW, Jan gjen një fokë vetëm disa javëshe, të dehidratuar dhe të rraskapitur. Ata pretendojnë se pa ndërhyrjen e njeriut, ka shumë të ngjarë që nuk do të kishte mbijetuar.

Në pranverë, foka femra i lënë të vegjëlit e tyre dhe, në këtë proces rritjeje, shumë prej tyre nuk ia dalin mbanë.

Gjatë rrugës për në qendrën e kujdesit, Jan tha se foka e gjetur do të kishte nevojë për të paktën disa javë që të shërohej përpara se të mund të kthehej në Detin Baltik.

Jan Wilkanowski e gjen pasionin e tij në këtë punë te ndjenja e përkatësisë dhe te vendi unik ku jeton – Gjiri i Gdańsk-ut.

Wilkanowski bashkëpunon shpesh me guidën turistike Robert Boreysz, i cili i çon turistët në varkën e tij, dhe si pjesë e turit të planifikuar, ekziston edhe i ashtuquajturi “Ishulli i Fokave”. Është një ishull i vogël me rërë që është gjithmonë i mbushur me foka, dhe është gjithashtu i veçantë sepse është i vetmi vend në Poloni ku foka mund të vërehen në mjedisin e tyre natyror.

Është e trishtueshme që foka u gjuan masivisht në këtë vend 50 vjet më parë, dhe specia pothuajse u zhduk plotësisht, por falë masave mbrojtëse dhe vullnetarëve si Jan, specia mbijetoi dhe numri i individëve u rrit.

Në bisedën e tij me ekipin e DW, Jan tha se problemi kryesor për fokat është se ato kanë gjithnjë e më pak vende ku mund të pushojnë dhe të lindin të vegjëlit e tyre.

Përfundimisht, Jani u kthye në qendrën e kujdesit për foka për të kontrolluar progresin e rikuperimit të Wilblad, foka që kishte shpëtuar.

Ai u prit me lajme të mira se shëndeti i këlyshit të vogël po përmirësohet dhe se ka shumë të ngjarë të jetë në gjendje të notojë në Detin Baltik deri në fund të verës, raporton Deutsche Welle. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko