Presidenti Ilir Meta këtë të premte ka vlerësuar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun Grei Malo.

 

Mjeku Malo gjatë ditëve të tmerrshme të pas-tërmetit të 26 nëntorit, zbriti në terren për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve.

 

Kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se ai hyri nën rrënoja për të shpëtuar jetë njerëzish, në të gjitha zonat e dëmtuara.

 

Sipas Metës, mjeku Malo dha një kontribut të veçantë për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.

 

“Me nderim dhe mirënjohje të thellë, pata sot privilegjin të vlerësoja me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun hero Grei Malo, i cili zbriti në terren menjëherë pas goditjes së tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke hyrë nën rrënoja e shpëtuar jetë njerëzish në të gjitha zonat e dëmtuara, dhe spikati me kontributin e tij të veçantë humanitar si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, për shpëtimin e të riut Klajdi Qato. Mirënjohje Grei Malos që dha një shembull të jashtëzakonshëm të sakrificës dhe profesionalizmit, duke na bërë krenarë dhe gëzuar respektin e të gjithë shqiptarëve! Mirënjohje të gjithë anëtarëve të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile!”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re