Me flamujt shqiptarë në duar dhe thirrjet: “Shpëtoni Shushicën tonë” , qindra protestues u mblodhën të shtunën në urën e Laskos pranë fshatit Kuç, të revoltuar nga planet e qeverisë dhe bashkisë Himarë për devijimin me tuba të ujit të lumit, me qëllim kanalizimin e tij drejt zonës turistike të Himarës.

Banorët e 30 fshatrave të shtrirë përgjatë luginës si edhe 12 kryepleq të këtyre fshatrave gjetën mbështetje tek aktivistët dhe ekspertëve mjedisorë në protestën kundër projektit të ujësjellësit të Himarës, i cili rrezikon sipas tyre dëmtimin e ekosistemit.

“Kishim shpresa të mëdha për Parkun Kombëtar dhe prisnim se do të nxiste zhvillimin ekonomik,” tha Elidon Kamaj, kryeplaku i fshatit Brataj.

“Megjithatë, nëse uji ynë tani hiqet dhe Shushica humbet statusin e Parkut Kombëtar, e ardhmja jonë ekonomike do të jetë në rrezik”, paralajmëroi ai.

Lumi Shushicë është një prej degëve kryesore të lumit Vjosë, ky i fundit i shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Një vit pas vendimit që u trumbetua nga qeveria, Shushica përballet me mundësinë e heqjes nga statusi i mbrojtur.

Sipas ekspertëve mjedisorë, projekti i ujësjellësit të Himarës, i financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, “Kreditanstalt für Wiederaufbau” (KfW) dhe Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), planifikon të devijojë 140 litra ujë në sekondë nga lumit dhe rrezikon ta thajë plotësisht pjesën e sipërme të tij gjatë verës.

Aktivistët mjedisorë theksojnë se, nëse ky projekt nuk tërhiqet, mund të përbëjë një precedent edhe për vepra të tjera shkatërrimtare për natyrën.

“Veprimet që po zhvillohen sot në Shushicë mund të përsëriten nesër në pjesë të tjera të Parkut Kombëtar,” tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i Eco Albania

“Besueshmëria e të gjithë Parkut Kombëtar të lumit të egër është në rrezik”, shtoi ai.

Edhe Ulrich Eichelmann, drejtor ekzekutiv i organizatës ndërkombëtare “Riverwatch”, bëri thirrje për ndalimin e këtij projekti.

“Ky projekt devijimi rrezikon të gjithë Parkun Kombëtar,” theksoi Eichelmann.

“Gjermania dhe WBIF duhet të tërhiqen nga projekti nëse Shqipëria nuk ndalon menjëherë punimet e ndërtimit dhe të urdhërojë një ‘Vlerësim të Ndikimit në Mjedis’ të vërtetë”, shtoi ai.

Shkencëtarët e huaj që merren prej vitesh me studimin e ekosistemit të Vjosës theksojnë se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis i cili ka shërbyer edhe për lëshimin e lejes së projektit, është i pabazuar në prova shkencore dhe është keqinformues.

Për këto aryse, banorët e fshatrave, kryepleqtë, dhe aktivistët e kauzës për mbrojtjen e Shushicës kërkuan në protestën e së shtunës ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit, kryerjen e një Vlerësimi të ri të Ndikimit në Mjedis, si edhe identifikimin e disa burimeve alternative ujore për zonën bregdetarë të Himarës.

Nga ana tjetër, banorët e 30 fshatrave që preken nga ky projekt shprehen të revoltuar edhe me mungesën e transparencës lidhur me planet e zbatimit të projektit.

“Ne nuk do të rrimë duarkryq teksa na vidhet uji,” tha gjatë fjalës së tij në protestë Astrit Balilaj, kryeplaku i fshatit Kuç, ndërsa shtoi se “ky projekt nuk na u komunikua kurrë” dhe “ekzistenca e tij doli në dritë vetëm kur u shfaqën makineritë e ndërtimit.”

“Ne nuk do të tolerojmë që uji ynë të hiqet dhe jemi të përgatitur të ndërmarrim veprime për të ndalur ndërtimin”, përfundoi Balili./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re