Një akt i paprecedent prishi shërbesën e së dielës në një kishë në qytetin Paddock të Pensilvanisë, SHBA, kur një person i armatosur tentoi të qëllonte pastorin, por fatmirësisht ky i fundit ia bllokoi armën.

Në videon që qarkullon në internet, 26-vjeçari Bernard Polite shihet duke hyrë në kishën e Vendbanimit të Jezusit, ndërsa pastori Glenn Germani po mbante predikimin e tij.

Ndërsa prifti protestant struket nga frika dhe vrapon për t’u strehuar pas foltores, personi i armatosur vazhdon të shkojë drejt tij, i vendosur për të përmbushur atë që kishte ardhur për të bërë. Fatmirësisht, në atë moment dhjaku Clarence McAllister nxiton drejt 26-vjeçarit dhe e ndalon atë, ndërsa dy burrat më pas e çarmatosin.

“Unë mendoja se kjo nuk mund të ndodhte,” tha Germani për CBS News pas incidentit të tmerrshëm, duke shtuar se ai beson se Zoti ndërhyri dhe bllokoi armën.

Prifti e quajti hero dhjakun që vrapoi për ta ndihmuar pa u menduar, ndërsa tregoi se ka folur edhe me autorin pasi u arrestua nga autoritetet. “Më tha se ishte i ndikuar nga shpirtrat e këqinj dhe se kishte ardhur në kishë se donte të vriste dikë”, tha ai për 26-vjeçarin. Polite, i cili akuzohet për tentativë vrasje dhe vepra të tjera, i tha pastorit se po dëgjonte zëra dhe i kërkoi që ta falte.

Prifti përshkroi për rrjetin televiziv sesi sulmuesi i buzëqeshi para se të përpiqej ta vriste para vajzës së tij 14-vjeçare, e cila po ndiqte meshën nga stolat. “Ajo që më lëndoi më shumë ishte paniku i vajzës sime. Më duhej të dukesha e fortë për të, por ishte shumë e vështirë për mua”, theksoi prifti.

Sipas CBS News, policia po heton një vrasje në shtëpinë ku Polite jetonte para arrestimit të tij. Ende nuk janë bërë të ditura detajet e krimit dhe nuk dihet nëse personi i arrestuar është autori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re