Rigerta Loku është mirditorja që do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 25 Prillit. Në një lidhje me skype për studion e lajmeve të Fax News, zbuloi se gjeti bashkëpunim me Rudina Hajdarin, e cila më parë ka deklaruar se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme nën partinë e re “Nisma”.

Loku zgjodhi të mos jepte detaje për këtë por theksoi se dëshiron që të gjithë së bashku të punojnë për të bërë vendin që të ecë përpara ndërsa shtoi se do të kandidojë për qarkun e Lezhës.

“Njerëzit e thjeshtë, ata që më duan dhe duan që territori i tyre të përfaqësohet në parlament, të më japin votën.

Unë do të kandidoj me Rudina Hajdarin. Është një vajzë e re si unë dhe e do Shqipërinë dhe të dyja bashkë dhe me shumë të tjerë të sjellim dicka që njerëzit ta pëlqejnë. Duam që të na japin mbështetje. Ne po braktisemi cdo ditë, shpresoj dhe uroj që të jap kontributin sa të mundem. Kam nevojë që të gjithë të japin firmat për partinë e re.

Duhet të na jepni pak kohë që të bëjmë lëvizjen e duhur, por kam besimin që do të bëjmë dicka. Nuk them që do përmbys botën, por në territorin tim mendoj që mund të bëj dicka.

Mos të fokusohemi tek partitë, flasim për mua. Bashkimi bën fuqinë. Unë do loboj gjithmonë për bashkim sepse sa më shumë duan njerëzit të bëhen bashkë, aq më shpejt do ecë ky vend. Kam dalë shumë shpejt sepse listat me kandidatët e partive të mëdha nuk kanë dalë ende.

Unë dua të jem zë i lirë i njerëzve të lirë. Partitë politike i bëjnë njerëzit , kandidatët. Kjo është e vetmja mënyrë kur populli i jep dorën. Nuk kam premtime, unë kam Gertën. Me Zotin dhe njerëzit uroj të shkojmë larg për të mirën e këtij vendit.

Unë loboj për njerëzit që janë të lidhur me territorin. Shpirtin e kam në të gjithë Shqipërinë, në Kukës e Vlorës, por jam mirditore, kështu që një vajzë nga qarku që rrin në qarkun e vet, kështu që nuk dua të shkoj askund tjetër.

Kemi kryetarë Bashkie që nuk jetojnë në territorin që administrojnë. Unë vetëm nuk bëj dot asgjë, shpresoj që hapja e pjesshme të shohë njerëz në parlament që janë të denjë për të qenë shqiptarë. Mos shikoni në asnjë sekondë bindjet e tyre politike, por njeriun se e bën njeriu Shqipërinë, jo partia dhe politika”, tha Rigerta Loku, e cila përloti Kuvendin 3 vite më parë me fjalimin e saj ku i bëri thirrje deputetëve që të kthejnë sytë nga fshati.

Loku bëri një koment sa i përket koronavirusit dhe i uroi shërim të shpejtë Rudina Hajdarit, e cila sot deklaroi se është izoluar pasi ka rezultuar pozitive me Covid.

“Me Rudinën gjetëm bashkëpunim. I urojm shërim të shpejtë nga koronavirusi. Në fshat nuk kemi as maska as Covid, mos rrini të përqendruar në Tiranë, por shpërndahuni në Shqipëri”, tha Loku. (A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re