Në mikpritje të Presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, sot në Stamboll filloj samiti katërpalësh për konsolidimin e armëpushimit në Idlib dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri, përcjell KosovaPost.

Turqia, Gjermania, Franca dhe Rusia do të diskutojnë në samit për zhvillimet në terren, situatën në Idlib pas marrëveshjes së Soçit dhe zgjidhjen politike në kuadër të platformave të Astanas dhe Gjenevës.

Katër shtetet synojnë të harmonizojnë përpjekjet e përbashkëta për të gjetur një zgjidhje permanente për krizën në Siri.

Pas takimit, katër shtetet pritet të pranojnë një deklaratë të përbashkët përfundimtare.

Krahas Presidentit të Turqisë Erdogan, në samit po marrin pjesë Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Emmanuel Macron, Presidenti rus Vladimir Putin, si dhe përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura.

Për herë të parë samiti do të tubojë përfaqësuesit e platformës së Astanas dhe ata të “grupit të vogël” të themeluar në Gjenevë nga de Mistura. Më herët, Mistura në Gjenevë ka diskutuar formimin e komitetit kushtetues me përfaqësuesit e dy platformave.

Mbajtja e samitit fillimisht ishte njoftuar më 29 korrik nga Presidenti Erdoğan, kur po diskutohej gjerësisht mundësia e një fatkeqësie humanitare në rajonin verior sirian të Idlibit.

Në atë periudhë, regjimi i Bashar al-Asadit dhe mbështetësit e tij kishin filluar të tuboheshin rreth Idlibit, pasi fillimisht kishin marrë nën kontroll përmes bllokadave dhe dëbimit pjesën qendrore dhe jugore të vendit.

Gjatë periudhës në fjalë, Turqia përshpejtoi përpjekjet diplomatike për të parandaluar masakrën apo dëbimin e katër milionë civilëve në Idlib.

Më pas, pas ftesës për Francën dhe Gjermaninë, samiti u njoftua se do të organizohet më 7 shtator, mirëpo në atë kohë do të realizohej samiti i tretë që mbahej midis Turqisë, Iranit dhe Rusisë në Teheran.

Pas një propozimi të Erdoğanit në samitin e Teheranit, ai së bashku me homologun rus Vladimir Putin ranë dakord më 17 shtator në Soçi për një sërë masash shtesë për ta ruajtur armëpushimin në Idlib.

Erdoğan dhe Putin u dakorduan që deri më 15 tetor të formohet një zonë të çmilitarizuar me një linjë prej 15-20 kilometrash, e cila do të kontrollohet nga ushtarët turq dhe rusë.

Në një deklaratë më 23 tetor, Erdoğan ka shprehur shpresë që samiti të jetë një hap serioz për arritjen e paqes në Siri.

Gjatë procesit, Turqia ka kontribuuar në balancimin e rolit të shteteve të Bashkimit Evropian dhe atij të Rusisë dhe Iranit për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Siri.

Në lidhje me samitin, zyrtarët gjermanë janë shprehur se Turqia ka marrë përsipër një përgjegjësi tejet speciale me marrëveshjen e Soçit, duke shprehur mbështetje për këtë marrëveshje duke u zotuar se do të japë kontribute për zbatimin e marrëveshjes së Stambollit.

Ndërkaq, Franca e ka cilësuar si të thyeshëm armëpushimin në Idlib dhe ka shprehur nevojën për konsolidimin e tij, kurse samitin e ka quajtur si një “mundësi” për të përshpejtuar formimin e komiteti kushtetues dhe nisjen e procesit politik.

Të dy shtetet i kanë bërë thirrje Rusisë të shfaqë qëndrim të hapur dhe të marrë përsipër përgjegjësi si aleat i regjimit të Asadit.

Nga ana tjetër, Rusia ka thënë se nuk duhet pritur ndonjë vendim kyç nga samiti i Stambollit, duke thënë se samiti do të jetë një platformë e rëndësishme për shkëmbim mendimesh në lidhje me fushat e bashkëpunimit midis katër shteteve.

Po ashtu, OKB ka deklaruar se samiti do të mbahet “në kohën e duhur”.

“Takimi i aktorëve të fuqishëm është një zhvillim pozitiv. Shpresojmë që (samiti) të mundësojë kontribute për gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe paqësore për krizën në Idlib dhe në mbarë Sirinë”, ka thënë Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës Koordinative Humanitare të OKB-së, në një deklaratë më 19 tetor.

Ndryshe, përkundër armëpushimit, regjimi kohë pas kohe i ka vazhduar sulmet me artileri në zonën e çarmatosur të Idlibit, edhe pse nga 17 shtatori opozitarët kanë tërhequr armatimin e rëndë.

Idlibi u shpall si një nga zonat e çarmatosur në mbledhjen e Astanas të mbajtur më 4 dhe 5 maj nga ana e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re