Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve ka publikuar listën e pronave dhe pronarëve që do të shpronësohen, për shkak të ndërtimit të unazës së madhe veriore të Tiranës. Në total, lista paraprake ka parashikuar 455 objekte të legalizuara, ndërsa kostoja totale me këtë listë kap shifrën e 3.1 mld lekëve.

 

Të gjithë qytetarët që kanë ankesa kanë një afat dy javë për ankimin në mënyrë që lista të hyjë në fuqi. Por publikimi i saj ka bërë që dhjetëra qytetarë që preken nga ky investim, të protestojnë pranë Autoriteti Rrugor, pasi lista nuk përfshin asnjë objekt të palegalizuar, ndërsa shumë prej familjeve mbeten pa një strehë.

 

Deri më tani nuk ka ende një qëndrim të bashkisë së Tiranës apo qeverisë se si do të veprojë me familjet me shtëpi të palegalizuara, nëse ato do të përfshihen në programet sociale apo jo, por çështja e shpronësimeve për interes publik është një nga problemet e mprehta të vendit.

 

Duke iu referuar edhe raportit të Avokatit të Popullit, në shumë raste, shteti sillet në mënyrë arbitrare ndaj qytetarëve të pambrojtur për çështjet e shpronësimeve.

 

“Pothuaj në të gjitha rastet, konstatohet se organet e administratës shtetërore sillen “në mënyrë arbritare” me titullarët e së drejtës së pronës/pronarët, por edhe poseduesit, duke qenë se i zhveshin këta të fundit nga e drejta e pronësisë dhe nuk i dëmshpërblejnë/kompensojnë paraprakisht, kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe brenda afateve ligjore. Qytetarët ndihen të pafuqishëm nga forca shtrënguese e shtetit, i cili në këtë rast e përdor “forcën” jo në mbrojtje të tyre, por ndaj tyre”, thuhet në raport të AP.

 

Sipas avokatit të popullit, kufizimet e pronës njihen për interes publik, por ato duhet të bëhen kundrejt një shpërblimi të drejtë, duke përfshirë dhe ato prona që janë në proces legalizimi që në shumë raste përjashtohen.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re