Lajmi i cili bëri xhiron e botës pak minuta më parë është goditja me shpullë e presidentit francez Emanuel Macron gjatë një takimi në Drome.
Nuk dihen ende shkaqet dhe motive që e çuan të riun në kryerjen e këtij akti të rëndë ndaj figurës së presidentit të vendit të tij, ndërkohë që policia deri më tani ka bërë arrestimin e dy personave.
Ky akt solli solidarizimin e gjithë klasës politike franceze kundër dhunës ndaj kreut të shtetit.
Djali me bluzë jeshile dhe syze përveç thirrjes ‘’Poshtë Makronia’’ bërtiti edhe “Montjoie Saint Denis”. Mediat franceze shkruajnë se ky togfjalësh ishte thirrje lufte nga ushtritë franceze kur vendi ishte ende monarki.
Ndërkohë Macron e mori me sportivitet këtë ngjarje pasi pas goditjes me shuplakë qëndroi sërish afër turmës duke biseduar për disa sekonda me një person tjetër në anën e kundërt të barrierave metalike.
Presidenca franceze nuk ka komentuar ngjarjen, por ka bërë me dije se u bë një tentativë për sulm ndaj Macron. Kryeministri francez nga ana tjetër, Jean Castex e cilësoi një fyerje të demokracisë.
