Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-In, deklaroi se pavarësisht përpjekjeve për izolim, përgjatë këtyre muajve, COVID-19 nuk do të shuhet, por mund të rikthehet edhe më i fortë. Një valë e dytë e koronavirusit me shumë gjasë pritet që të vijë nga vjeshta.

“Përhapja me këto ritme e infeksionit, pavarësisht stabilizimit të situatës në këtë fazë, rrit dyshimet se mund të rikthehet në çdo moment, në çdo hapësirë të hapur, kudo ku njerëzit po i rikthehen jetës normale. Kjo gjë nuk ka mbaruar derisa të mbarojë vërtet. Derisa alarmi të marrë fund, ne nuk duhet të ulim nivelin e vigjilencës. Vetëm kështu mund ta frenojmë pandeminë”, tha Moon Jae-in.

Në përvjetorin e tretë të tij në krye të shtetit, presidenti tha se do të duhet kohë derisa kjo situatë të marrë fund: “Do të kalojë një kohë e gjatë përpara se pandemia Covid-19 të përfundojë totalisht. Deri atëherë, duhet të përgatitemi për një valë të dytë, që e parashikojnë edhe ekspertët e fushës”.

Kreu i shtetit paralajmëroi se në vendin e tij, masat nuk do të lehtësohen krejtësisht, ndërsa Task Forca e shëndetësisë po përgatitet tashmë për valën e dytë të vjeshtës apo dimrit të këtij viti, duke vijuar trajnimet e të gjithë stafit spitalor për t’u përballur me këtë virus.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko