Në Tiranë vazhdon edicioni i tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit “Jazz in Abania”, me pjesëmarrjen e artistëve nga disa vende, raporton Anadolu Agency (AA).

Për artdashësit e kryeqytetit të Shqipërisë performoi në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” në Liceun Artistik grupi nga Turqia “Tanini Trio”.

“Tanini Trio” është bërë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit me mbështetjen e Institutit “Yunus Emre” Tiranë, në mesin e grupeve të tjera muzikore.

Të pranishëm gjatë interpretimit të artistëve turq Tahir Aydoğdu, Bilgin Canaz dhe Burçin Büke, ishin zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, drejtori i Institutit “Yunus Emre” Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, artistë dhe studentë.

Tetë grupe profesionistësh të xhazit të cilët vijnë nga disa shtete gjatë ditëve të festivalit sjellin për artdashësit larmishmëri individualitetesh artistike.

Në festivalin që organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera kulturore, marrin pjesë grupe profesioniste muzikore nga Shqipëria, Turqia, Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Serbia dhe Japonia.

Sipas organizatorëve, ky festival ka gjithashtu veçantinë e bashkëpunimit të grupeve profesioniste të xhazit me grupet e reja të krijuara gjatë shkëmbimit kulturor të projektit “Creative Europe” që zhvillohet në shtetet Shqipëri, Itali dhe Serbi.

Dita e fundit e festivalit që përfundon më 12 tetor do t’u dedikohet muzikantëve të rinj, të cilët ndonëse nga shtete të ndryshme, do të performojnë bashkë./ AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re