Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar gjatë një konference për median se e gjithë vëmendja e institucioneve duhet të jetë tek rivendosja e kontrollit ndaj pandemisë, sepse sipas tij “pandemia po del jashtë kontrollit”.

-“…Jam shumë i shqetësuar për numrin gjithmonë në rritje të të prekurve dhe fatkeqësisht edhe të numrit të personave të cilët kanë humbur jetën. Në këto kushte mendoj marrjen e masave të menjëhershme për të frenuar këtë përhapje masive të COVID-19 në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Është tepër e domosdoshme që qytetarët duhet të testohen, vetëm kështu do të dinë të vërtetën për shëndetin e tyre, por edhe që të mbrojnë familjarët dhe komunitetin…”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta theksoi se qytetarët duhet të trajtohen me protokolle mjekësore të qarta dhe të miratuara me përgjegjësi.

Meta theksoi më tej se: “…Duhet miratuar sa më parë nga qeveria rimbursimi i barnave dhe shërbimeve për të sëmurët me COVID-19 të cilët trajtohen në banesat e tyre pasi shumë prej tyre nuk marrin dot barnat e kërkuara për shkak të pamundësisë ekonomike dhe varfërisë…E gjithë vëmendja e qeverisë, parlamentit, presidentit, mediave, e të gjithëve, e opozitës duhet të jetë tek rivendosja e kontrollit ndaj pandemisë, sepse pandemia po del jashtë kontrollit.Telefonatat që marrim tregojnë një ritëm të lartë të të prekurve dhe një vështirësi tepër serioze të sistemit tonë shëndetësor sidomos atij publik për të përballuar këtë ngarkesë të madhe. Prandaj sugjerimet e mija kanë qenë prej kohësh…”, tha presidenti i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, presidenti i Shqipërisë ka zhvilluar një takim me drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, dr.Hans Kluge.

Meta shprehet se diskutuam për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në Shqipëri dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.

Edhe kryeministri Edi Rama priti në një takim drejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge.

Rama tha se gjatë takimit Kluge shprehu konsideratat më pozitive për menaxhimin e situatës së pandemisë në Shqipëri.

Dr. Hans Kluge ishte i ftuar nga ministrja e shëndetësisë Manastirliu dhe zhvilloi një vizitë dyditore në Shqipëri.

Gjatë konferencës për shtyp me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, drejtori i OBSH-së për Evropën përgëzoi Shqipërinë për masat e shpejta që mori që në fillim për t’iu përgjigjur pandemisë së Covid-19.

Ndërkaq, Ministrja Manastirliu, së bashku me kreun e OBSH për Evropën, dr. Hans Kluge kanë vizituar spitalin COVID 1 për të inkurajuar stafet mjekësore, ku prej më shumë se 8 muajsh po trajtohen të prekurit me COVID-19 .

Manastirliu ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për stafin mjekësor, i cili në këto muaj ka qenë në gatishmëri të plotë në shërbim të pacientëve duke i konsideruar ata heronjtë e kësaj lufte.

“Dua t’ju falënderoj me mirënjohjen më të thellë dhe me respektin më të madh për përballjen e jashtëzakonshme dhe sakrificën në më shumë se 8 muaj në këtë situatë të vështirë. Nuk është e lehtë të trajtosh pacientë me COVID i cili është një virus me shumë të panjohura, por falë përkushtimit, angazhimit dhe profesionalizmit që ju keni treguar, sikurse ja kemi dalë deri tani do vijojmë t’ja dalim të gjithë së bashku”, tha Manastirliu.

Dr. Hans Kluge ka inkurajuar mjekët dhe infermierët në Spitalin Infektiv për punën e vështirë në këto muaj dhe ka shprehur mirënjohjen ndaj tyre në emër të OBSH-së/ Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërsa, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca zhvilloi edhe ai një takim me drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.

Ambasadori Soreca u shpreh se gjatë takimit u diskutua për sfidat aktuale afatshkurtra dhe afatgjata për Shqipërinë dhe rajonin për të luftuar pandeminë dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e sektorit shëndetësor.

“BE dhe OBSH kanë punuar ngushtësisht në muajt e fundit për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër COVID-19. Me Drejtorin Rajonal të OBSH-së, Hans Kluge diskutuam sfidat aktuale afatshkurtra dhe afatgjata për Shqipërinë dhe rajonin për të luftuar pandeminë dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e sektorit shëndetësor”, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca pas takimit. 

Vlen të përmendim se në Shqipëri vazhdon rritja e rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar mbi 26 mijë raste pozitive me COVID-19, si dhe ka kaluar shifrën e mbi 600 personave që kanë ndërruar jetë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re